Llapi ka pësuar edhe humbjen e dytë rresht në kampionat, pasi që është mposhtur minimalisht 1-0 nga Vushtrria, njofton Llapi.info.
Rastin e parë në fillim të ndeshjes e patën llapjanët, mirëpo Labinot Osmani dështoi të realizonte pas asistimit nga Mentor Zhdrella.
Nikoqirët zhbllokuan rezultatin në minutën e 26’ të takimit me anë të Eri Lamçja. Me këtë rezultat (1-0), përfundoi pjesa e parë në “Ferki Aliu”.
Në pjesën e dytë mysafirët nga Podujeva dominuan tërësisht, duke pasur disa raste shënimi, por pa konkretizime. Fillimisht provoi Behar Maliqi në minutën 46’ dhe Mërgim Pefqeli në minutat 50’, 54’ dhe 70’.
Gjërat u përkeqësuam akoma më shumë për llapjanët, pasi që në minutën e 75’ Bunjamin Emini ndëshkohet me karton të kuq, kështu duke lënë klubin nga Podujeva me një lojtar më pak në fushë dhe me një gol në disavantazh.
Deri në fund të ndeshjes skuadrat patën disa raste shënimi, por që epilogu përfundimtar mbeti 1-0.
Pas kësaj humbje, Llapi ka 20 pikë në vendin e pestë, ndërsa Vushtrria arrin në kuotën e 9 sosh dhe radhitet në pozitën e 11.
Në xhiron e radhës, Llapi pret në “Zahir Pajaziti” Drenicën, e që edhe në këtë ndeshje do ta luaj pa tifozë, ndërsa Vushtrria do të ketë punë me Trepçën ’89./Llapi.info