Llapi është mposhtur nga Prishtina me rezultat 2-1 në javën e 27 të Superligës së Kosovës në futboll, raporton Llapi.info.

Pjesa e parë e zhvilluar në “Fadil Vokrri” u mbyll me rezultat të barabartë 0-0, pasi në 45-minutat e parë të dyja skuadrat ishin të zbehta në krijimin e rasteve për shënim.

Në të dytën u shënuan tre gola. Fillimisht Besnik Krasniqi zhbllokoi rezultatin 1-0 në të mirë të kryeqytetasve, kur po zhvillohej minuta e 48’.

Prishtina arriti të shënoi për 2-0 në minutën e 65’ me anë të Endrit Krasniqit. Mysafirët llapjanë realizuan në minutën e 78’ me anë të Drilon Fazliu për 2-1, rezultat me të cilin edhe u mbyll derbi kësaj xhiroje.

Në minutën e 90-të Llapi kishte rast të barazonte rezultatin, por goditja e Firminos u prit nga Eglant Haxho.
Dy minuta më pas edhe Valmir Veliu kishte rast të mirë, por gjuajtja e tij u ndal në shtyllë.

Prishtina pas kësaj fitoreje ka 35 pikë dhe mbanë vendin e pestë ndërsa Llapi mbetet i katërti me 41 pikë./Llapi.info