Llapi ka pësuar humbje të thellë 1-4 nga Prishtina në kuadër të javës së 15-të në Superligën e Kosovës, njofton Llapi.info.
Pjesa e parë e ndeshjes në “Zahir Pajaziti” u mbyll me epërsinë prej dy golave në të mirë të mysafirëve. Goli i parë erdhi pas (25’) minutash lojë, kur Endrit Krasniqi realizoi për Prishtinën pas një solo aksioni. Ndërsa, në minutën e (32’) Ahmet Haliti ngriti shifrat në 0-2. Me këtë rezultat, përfundoi pjesa e parë në Podujevë.
Duhet theksuar se llapjanët gjithë pjesës së parë nuk e kanë pasur as edhe një rast të volitshëm.
Me të nisur pjesa e dytë (47’), Prishtina e gjeti edhe golin e tretë. Për shifrat 0-3 u përkujdes Ahmed Januzi.
Kryeqytetasit nuk u ndalën me kaq duke realizuar edhe golin e katërt në minutën e (70’), me anë të Armend Thaçit.
Pas katër golave të pësuar, llapjanët e shënuan golin e nderit përpara adhuruesve të vetë në minutën e (75’), me anë të Kastriot Selmani. Me rezultatin 1-4 në të mirë të prishtinasve përfundoi ndeshja.
Pas kësaj humbjeje, Llapi vazhdon t’i ketë 24 pikë në vendin e pestë, kurse Prishtina me këtë fitore arrin në kuotën e 27 pikëve të arkëtuara.
Në ndeshjen e radhës, Llapi nuk do ketë punë të lehë, pasi do të udhëtojë në Gjilan për t’u përballur me Dritën, ndërsa Prishtina do ta presë Trepçën ’89./Llapi.info