Klubi i Llapit duke iu falënderuar familjes Batatina është shndërruar në superfuqi të futbollit kosovar.
Llapi që edicionin e kaluar e fitoi Kupën e Kosovës dhe Superkupën, arriti që të garojë edhe në garat evropiane, synon që në këtë edicion ta fitojë titullin kampion.
Presidenti i Llapit, Beqir Batatina, në një prononcim për “Zeri.info” thotë se skuadra e tij në afatin kalimtar të janarit do të përforcohet me futbollistë cilësor.
“Synojmë që të përforcohemi me lojtarë cilësor, aty ku ka nevojë trajneri Tahir Batatina. Jemi duke e analizuar tregun dhe besoj se shumë shpejt do të nisim me transfere në mënyrë që ta vazhdojmë rrugën drejt titullit kampion”, ka thënë Beqir Batatina të hënën për “Zeri.info”.
Llapi në pranverë do t’i zhvillojë ndeshje si vendas në stadium e rinovuar “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Kjo do të jetë një armë më shumë për klubin pasi që do ta ketë nga afër tifozerinë e zjarrtë.
Llapi momentalisht ndodhet në pozitën e katërt me 29 pikë të tubuara, gjashtë më pak se lideri SC Gjilani.