Klubi nga Podujeva edhe zyrtarisht ka nisur përgatitjet për sezonin e ri 2019/20 në Supërligën e Kosovës në futboll, njofton Llapi.info.
Me fillimin e këtyre përgatitjeve, kryetrajneri i klubit nga “Zahir Pajaziti” Tahir Batatina, ka deklaruar se Llapi do të jetë përsëri konkurrent për trofeun e parë të çmuar në elitën e futbollit kosovar.
Mirëpo, skuadra e Llapit duket se nuk ka kaluar një moment të mirë në afatin kalimtar të verës, pasi disa nga futbollistët kryesorë janë larguar nga klubi, duke mos vazhduar të jenë pjesë e tij edhe për sezonin e ardhshëm.
Duke përfshirë edhe top-sulmuesin dhe njërin nga futbollistët më të mirë në kampionatin e fundit, Festim Alidema që karrierën do ta vazhdojë në Kroaci, edhe disa lojtarë kyç u larguan nga “Zahir Pajaziti”.
Pas gjashtë vjetësh qëndrimi në klub u larguan edhe ish-kapiteni i skuadrës, Hamdi Namani dhe mesfushori i njohur Edon Zeqiri.
Përveç Namanit, klubi nga Gjilani, Drita “rrëmbeu” edhe mbrojtësin e talentuar, Ilir Blakçori. Ndërsa rivali i Llapit, Prishtina mori në kryeqytet portierin Eglant Haxho dhe riktheu top-sulmuesin Ahmed Januzi.
Pas dy vitesh qëndrim, edhe Gentrit Begolli i dha lamtumirën e fundit klubit llapjan.
E për këto largime, trajneri i Llapit, Tahir Batatina pati deklaruar se këta lojtarë të cilët janë larguar nuk kanë qenë në planet e tij për sezonin e ardhshëm, duke pasur parasysh se ai po mundohet të krijojë një skuadër më solide se që e ka pasur sezonin e kaluar.
Përkundër largimeve Llapi ka menduar edhe për përforcime, teksa në radhët e veta ka prezantuar disa lojtarë. Në këtë klub u rikthye Enis Zabërgja.
Llapi nënshkroi kontratë 1-vjeçare me qendër-sulmuesin nga Shipëria, Sebino Plaku. Së fundi, klubi nga “Zahir Pajaziti”, është përforcuar me mesfushorin brazilian, Bruno Arrabal. Po ashtu, Llapi nënshkroi edhe me Kastriot Selmanin, ndërsa ka vazhduar kontratën me Elvis Prençin, Benjamin Eminin dhe Bujar Idrizin. Kurse, ekipit të parë iu bashkuan edhe talentë të rinj në moshë.
Mbetet për t’u parë tashmë nëse titulli kampion për edicionin 2019/20 do të përfundojë në qytetin e Podujevës për herë të tretë në histori, ndërsa për të parin e KF Llapit.
Besiana (2001/2) dhe Hysi (2010-11), janë dy ekipet nga Podujeva që arritën të fitonin titullin kampion./Llapi.info