Klubi i futbollit Llapi, ka paralajmëruar se do të bëjë padi ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Kështu ka bërë të ditur të martën për “Kohën” trajneri i klubit nga Podujeva, Tahir Batatina. Trajneri Batatina ka thënë se nëse brenda 45 ditëve nuk ka një vendim të Gjykatës që dëshmon se ndeshja Llapi – Drenica ishte e kurdisur, atëherë do të ushtrojë padi ndaj FFK-së, për siç ka thënë ai, prishje të imazhit të klubit. Drenica e fitoi të shtunën e shkuar ndeshjen ndaj Llapit 2:0 në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, dhe me të përfunduar kjo ndeshje, publikisht janë paraqitur dyshime për kurdisje. Hetimet e prokurorisë mbi dyshimet për kurdisje të kësaj ndeshjeje nisën pas informatës së kryetarit të FFK-së, Agim Ademi. Në FFK kanë thënë se është e drejtë e Llapit të mbrohet, por kanë shtuar se kjo është procedurë e rregullt për çdo ndeshje që mund të vlerësohet si e dyshuar.

“Klubi do ta paditë në gjykatë Federatën e Futbollit të Kosovës për prishje të imazhit të ekipit dhe investimeve e donatorëve që janë duke investuar. Nëse del diçka rreth kësaj çështjeje të ngritur, unë jam i gatshëm me Llapin të luajmë edhe në Ligën e Tretë. Njerëzit e klanit të caktuar po mundohen t’ia humbin imazhin klubit më të organizuar në Kosovë. Do ta presim vendimin e gjykatës dhe nuk dua ta pengoj punën e hetuesisë. Por, do të presim 45 ditë dhe nëse nuk ia kthejnë klubit zyrtarisht vendimin, padia do t’i shkojë FFK-së nga Llapi. Unë vetë i kam ftuar organet e drejtësisë që sa më shpejt të zbardhet rasti, meqë kjo shkon në dëm të klubit tonë”, ka thënë Batatina për “Kohën”.

Në fakt, Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në ngjarjet sportive, me të marrë informatën nga kryetari i FFK-së, Ademi, ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që të fillojë verifikimin e këtyre dyshimeve. I gjithë dyshimi për kurdisje të ndeshjes nisi pas pretendimeve të vëzhguesit të ndeshjes Llapi – Drenica, Bajram Krasniqi. Se nuk janë të vërteta pretendimet e Krasniqit, e ka thënë edhe sekretari i klubit Llapi, Muhamet Rexhepi, i cili ka theksuar se janë të pabaza dhe shpifje pretendimet se ai ka akuzuar dy futbollistët, Mentor Zhdrella dhe Labinot Osmani për kurdisje të ndeshjes. Edhe trajneri Batatina sërish ka mohuar kategorikisht se ka pasur parregullsi në këtë ndeshje. Ndërsa, edhe futbollistët kanë mohuar të ketë pasur kurdisje. Madje, Batatina insiston se Zhdrella e ka luajtur ndeshjen e tij më të mirë këtë edicion ndaj Drenicës. Ndërkohë që Osmani e humbi penalltinë në fund të ndeshjes, duke gjuajtur mbi portë. Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu, ka thënë për “Kohën” se nuk janë kundër klubit Llapi, por kundër dukurive negative.