Llapi po tregohet një prej klubeve më stabile në Kosovë viteve të fundit, shkruan sot gazeta Zëri.

Skuadra llapjane e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit të Superligës si nënkampion me vetëm tri pikë më pak se lideri, Trepça ’89, me 11 fitore, 3 barazime e 3 humbje, nga 17 ndeshje të zhvilluara në vjeshtë.

Këtë të arritur e kishte pritur trajneri Tahir Batatina, i cili madje nuk është i kënaqur, pasi mendon se skuadra e tij e meriton ta marrë primatin në futbollin kosovar.

“Pozita e dytë ishte e pritshme, por jo edhe e kënaqshme. Ne kemi bërë organizim të duhur, jemi kthyer në stadiumin tonë, kemi investuar dhe e kemi një skuadër solide, e cila meriton edhe më shumë. Megjithatë, e përgëzoj ekipin për angazhimin në këto ndeshje, nuk kemi humbje në 9 apo 10 ndeshjet e fundit”, deklaroi fillimisht Batatina për “Zërin”.

Batatina: Në pranverë e ndjekim titullin

Trajneri llapjan paralajmëron përforcime gjatë janarit, në mënyrë që skuadra e tij ta ndjekë titullin e kampionit në pranverë. Ekipi i kaltër synon të dalë në Evropë nga edicioni i ardhshëm dhe këtë do të mundohet ta bëjë përmes titullit ose, si opsion të dytë, fitimit të Kupës së Kosovës.

“Për pranverë do të bëjmë përforcime dhe synojmë të jemi edhe më të suksesshëm. Nuk jemi larg, pasi pozita e parë na ikën vetëm tri pikë. Jemi klub me renome dhe me traditë, prandaj edhe realisht e kërkojmë titullin dhe daljen në Evropë. E kam thënë këtë edhe vitin e kaluar”, nënvizoi ai.

Nëse jo përmes titullit të kampionit, Llapi e ka edhe “Planin B” për të dalë në Evropë.

“Nëse jo përmes titullit, e kemi edhe Kupën si alternativë. Kemi bagazh dhe fond të lojtarëve për të luftuar në të dyja frontet. Sidoqoftë, ne jemi të fokusuar tek kampionati, ku kemi ambicie reale për t’u shpallur kampionë”, vazhdoi Batatina, i cili krahas punës së trajnerit është edhe donatori kryesor i klubit të Llapit, të cilin po e mban me sukses në vitet e fundit.