Llapi ka pësuar humbje me rezultat 3-0 në udhëtim te Gjilani në kuadër të javës së 11-të të Superligës së Kosovës në futboll, njofton Llapi.info.

Fillimi i ndeshjes ishte i mirë për të dyja skuadrat, teksa rezultati u zhbllokua në fund të pjesës së parë, kur në minutën e 42’ Tomislav Busiç realizoi për nikoqirët. Me këtë rezultat përfundoi 45-minutëshi i parë në “Agim Ramadani”.

Mysafirët nga Podujeva provuan disa herë ta gjenin golin e barazimit, por Mërgim Pefqeli (49), Arbnor Ramadani (60) dhe Behar Maliqi (70), shpërdoruan rastet.

Kështu nuk ishte për gjilanasit, pasi që në minutën e 72’ Bedri Greca ngriti shifrat në 2-0. Krejt në fund të ndeshjes për rezultatin final 3-0 u përkujdes Gerhard Progni.

Pas kësaj fitoreje, Gjilani e gjen vetën në krye të tabelës me 24 pikë, kurse Llapi ka 20 sosh dhe aktualisht radhitet në pozitën e katërt.

Në xhiron e radhës, Llapi do të ketë punë me Vushtrrinë, e në anë tjetër Gjilani pret ekipin nga Mitrovica, Trepçën ’89./Llapi.info