Java 25 e IPKO Superligës së Kosovës në futboll na dhuron sot përballjen ndërmjet dy trajnerëve, Tahir Batatina dhe Bylbyl Sokoli, njofton Llapi.info
Trajneri i rikthyer, Tahir Batatina, të premten e kaluar debutoi me fitore ndaj Lirisë së Prizrenit me rezultat të thellë 4:0, dhe në këtë xhiro do të përballet me ish-trajnerin e skuadrës së tij, Sokolin, trajner që u shkarkua nga Llapi gjatë këtij kampionati.
Në kuadër të kësaj jave, Llapi pret në stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti”, Ferizajn e Sokolit. Ndeshje kjo e cila luhet me fillim nga ora 14:00.
Kjo sfidë pritet të jetë interesante, pasi që këto dy klube synojnë fitore, teksa Llapit i duhet për të mbetur në garë për titull e Ferizajt për t’i ikur barazhit.
Llapjanët kanë bilanc fantastik ndaj ferizajasve të cilët i kanë mposhtur në dy ndeshjet e zhvilluara gjatë këtij edicioni.
Pas 25 javëve Llapi numëron 51 pikë në vend të tretë, dy më pak se Prishtina që radhitet në pozitë të dytë e 5 më pak se lideri Feronikeli. Ndërsa, ferizajasit gjendet në pozitën e dhjetë me 25 pikë të tubuara./Llapi.info