Llapi ka arritur të shënojë fitoren e dytë rresht në këtë kampionat, derisa sot ka mposhtur Arbërinë me rezultat 2-1, raporton Llapi.info.

Të dy golat e fitores llapjanët i shënuan në 45 minutat e parë. Fillimisht shënoi Elvis Prençi në minutën e 30’të, teksa pas dhjetë minutave realizoi edhe Kastriot Selmani.

Vendasit nuk arritën më shumë se të ngushtojnë rezultatin në minutën e 56’të, falë golit nga kapiteni Labinot Ibrahimi.

Vlen të theksohet se skuadra nga Dobraja e Lipjanit mbeti me një lojtar më pak në minutën e 78’të, pasi me të kuq u ndëshkua Valmir Avdulli.

Llapi tani ka 17 pikë dhe renditet në pozitën e parafundit, kurse Arbëria mbetet me 20 pikë dhe renditet e gjashta.

Në xhiron e radhës, Llapi pret në “Zahir Pajaziti” Feronikelin, ndërkohë që Arbëria udhëton në Gjilan për t’u përballur me Dritën./Llapi.info