Llapi ka arritur të shënojë fitore 2 – 1 kundër Dukagjinit në kuadër të xhiros së shtatë në elitën e futbollit kosovar, raporton Llapi.info.
Pjesa e parë solli disa raste shënimi për të dyja skuadrat, por që llapjanët arritën ta zhbllokojnë të parët rezultatin më anë të Armin Mujkic, kur po zhvillohej minuta e 40’ e takimit. Me rezultat 1-0 përfundoi pjesa e parë në “Zahir Pajaziti”.
Në pjesën e dytë gjërat u përkeqësuan për bardh e kaltrit nga Podujeva, pasi që Kastriot Selmani u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve për ta lëshuar kështu fushën në minutën e 65’.
Vetëm dy minuta më vonë, mysafirët barazuan rezultatin në Podujevë, me anë të Husein Demir. (Njëherësh ky ishte goli i parë në këtë edicion për dukagjinasit).
Pas golit të pësuar, edhe pse me një lojtar më pak në fushë, llapjanët sulmuan disa herë portën kundërshtare, teksa në minutën e 81’ Mërgim Pefqeli riktheu epërsinë për klubin nga Podujeva.
Me këtë fitore, Llapi arrin në kuotën 14 pikëve dhe radhitet aktualisht në vendin e dytë, ndërsa në anën tjetër Dukagjini me këtë disfatë thellohet akoma më shumë, pasi që pas shtatë xhirosh ka vetëm një pikë të grumbulluar.
Në ndeshjen e radhës, Llapi dhe Feronikeli zhvillojnë derbin në Drenas, kurse Dukagjini pret Trepçën ’89./Llapi.info