Pas tërmeteve që goditën Shqipërinë, qytetarë të shumtë nga Kosova po bëjnë detyrën duke u mobilizuar menjëherë dhe për t’u dalë në ndihmë shqiptarëve, raporton Llapi.info.

Ashtu si në qytetet tjera, edhe në Podujevë qytetarë llapjanë janë bashkuar në ndihmë për familjet e prekura nga tërmetet.

Veshmbathje, gjëra ushqimore, batanije dhe çdo gjë tjetër e nevojshme tashmë janë grumbulluar në masë të madhe në tri pika grumbulluese të qytetit. Një në sheshin “Ali Ajeti”, një në parkun e qytetit dhe një përballë shkollës ekonomike “Isa Boletini”.

Këtij aksioni i janë bashkuar edhe tifozë të klubit Llapi. Me këtë rast, po apelohet nga njerëz vullnetmirë (me mundësi), që t’i sjellin gjëra elementare në pikat grumbulluese.

“Kushdo që ka vullnet dhe mundësi të kontribuoj që t’iu ndihmojmë familjeve që pësuan tragjedi në Shqipëri”, thuhet në apel.

Tashmë për t’i dërguar ato në Shqipëri, të gatshëm dhe falas janë shprehur kompani transportuese.

“Duke marrë parasysh gjendjen e krijuar pas tërmetit në Shqipëri, kompania jonë ofron shërbime të transportit të mallrave FALAS 24/7 nga Kosova për në Shqipëri si dhe anasjelltas. Lusim çdo organizator të na kontaktoi: Kontakti për Kosovë: +383 49 301 401. Kontakti për Shqipëri: +355 68 602 7333”, thuhet në mesazhin e kompanisë “Albatros”, të dërguar në adresë të Llapi.info.

Përveç ndihmave, tashmë llapjanët janë shprehur të gatshëm të ofrojnë strehim për banorë shqiptarë.

“Për vëllezërit e motrat nga Shqipëria dera është e hapur, i lirova 4 katër dhoma në fshatin Majac komuna e Podujevës dhe janë të lira që nga tash nr.i telefonit:044/685-457”, ka thënë për Llapi.info Hakif Berisha.

Për 10 familje nga Shqipëria i ka siguruar strehim edhe hotel “Iliria” në Podujevë, me ç’rast do t’u ofrohet edhe ushqim.

Strehim ka ofruar edhe një mërgimtar nga Gjermania, Nexhat Kamerolli. Ky i fundit për Llapi.info ka thënë se do t’i ofrojë dy banesa në Fushë Kosovë.

Ndërkohë drejt Shqipërisë janë dërguar për ndihmë edhe Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës. Tërmeti në Shqipëri prej 6.3 ballë të Rihterit është më i fuqishmi në 30 vjetët e fundit.

Aktualisht ka shkuar në 29 numri i viktimave nga tërmeti i një dite më parë dhe sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë plagosur mbi 650 persona, ndërsa mbi 40 janë shpëtuar./Llapi.info