Që nga 31 dhjetori ai po proteston para Teatrit Kombëtar. As reshjet e borës dhe të ftohtit nuk e kanë larguar nga misioni që i ka dhënë vetës për të kundërshtuar, siç shprehet, shkeljet në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Regjisori Sokol Plakolli me prejardhje nga Podujeva, thotë se vendimet e Këshillit aktual të Teatrit Kombëtar të Kosovës po i prijnë formimit të strukturave paralele në këtë teatër.
Ai po shpreh shqetësimin e tij duke qëndruar para Teatrit Kombëtar, ku sonte do të shfaqet “Pasardhësi” me autor Ismail Kadarenë, me regji nga regjisori serb Slobodan Unkovski.
Plakolli vlerëson se ky teatër kombëtar nuk po jep kontribut, dhe madje akuzon se ky teatër po vepron “sipas urdhrave të Beogradit”, pasi sipas tij ndikimi i Beogradit është shtrirë në vet legjislacionin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Shteti i Kosovës i ka bërë thirrje Beogradit që të ndërpres ndikimin e ushtrimit të funksioneve paralele”, tha Plakolli duke shprehur dyshimin e tij se këshilli po vepron të kundërtën, pra sipas tij pro paralelizmit të institucioneve.
“Përpos nivelit të ulët artistik kombëtar dhe mospromovimit të vlerave kombëtare, dhe sjelljes së UDB-shave si Sllobodan Unkovski që ka dosje të UDB-së, që ka realizuar shfaqje ku ka marrë diku 14 mijë euro për regji nga teatri…teri nuk po bënë tjetër”. thotë Plakolli.
Ai kërkon shkarkimin e këshillit aktual dhe formimin e një komisioni prej artistëve të pavarur, i cili do të verifikonte sipas tij të gjitha vendimet e këtij këshilli. “Ngase përpos shumë e shumë shkeljeve tjera dyshohet e këta kanë nënshkruar marrëveshjen për kthimin e dramës serbe në Teatrin Kombëtar paralelisht me dramën kombëtare shqipe”, thotë Plakolli, raporton Zeri.info.
Dhe kjo, ai thotë se duhet të verifikohet. “Pra këta e nënshkruajnë dhe shkojnë kështu si na kanë nënshkruar marrëveshje për murin dhe për komunat serbe dhe ne mbesim të ballafaqohemi këtu me problemet e tyre…”.
Plakolli thotë se dalja e tij tash e dhjetë ditë në temperatura të ulëta ka për qëllim që të jap një apel tek ministri i kulturës Kujtim Shala, që ai shprehet se po i mban veshët e mbyllur. Kurse një pjesë e komunitetit, ai thekson se nuk po kanë guximin të reagojnë për teatrin.
“Asnjë teatër kombëtar në botë nuk ka paralelisht dy drama. Ne kemi 5 milionë në Turqi, por nuk kemi dramën shqipe paralelisht, as në Beograd nuk kemi edhe pse në Luginë të Preshevës kemi mijëra shqiptar, dhe as në Itali apo në Greqi, sepse Teatri Kombëtar është kombëtar dhe ka një dramë dhe s’mund të jetë dy”, tha Plakolli.
Ai thotë se në historinë e teatrove sllave nuk ka një regjisor që ka realizuar dramë shqipe në teatër kombëtar.
“Kurse këtu vijnë me dosje UDB –së aktive dhe realizojnë shfaqej në teatër kombëtar”, thekson ai.
Ai po mbledh peticione, siç shprehet për të kundërshtuar “sllavizmin e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe shkeljet nga këshilli i këtij teatri”.
Dhjetë ditë që nga protestimi i tij në acar para teatrit, nuk ka reaguar askush nga institucionet e vendit.