Ka ardhur në Zvicër nga Kosova si i përndjekur politik. Sot ai është mbase shqiptari i vetëm në këtë vend që drejton trenat. Afrim Bajrami, lokomotivist
Afrim Bajrami është i lindur në fshatin Gërdoc, komuna e Podujevës ndërsa shkollimin e ka ndjekur në Prishtinë. Sot ai është 44 vjeç. Sikur shumicës së të rinjve të brezit të tij, edhe Afrimit iu mohua ëndrra për të ndjekur studimet. “Në kohën kur është dashur të filloja studimet, në vitin 1989 jam burgosur për mendim politik. Dënimi ka mundur të jetë 15 vite ose më shumë. Por mu dha rasti dhe ika nga Kosova duke kërkuar azil politik ne Zvicër”, shpalos me pak fjalë rrëfimin e tij jetësor Afrimi.
Si një i ri që ishte angazhuar politikisht derisa ishte në Kosovë, ai nuk mund të qëndronte duarkryq as në mesin e ri ku kishte ardhur për të jetuar. Duke ditur gjendjen e rëndë në të cilën po kalonte vendi i tij gjatë viteve ’90, Afrimi edhe këtu vazhdon të jetë aktiv.
“Pas shumë punëve në profesione të ndryshme dhe pas shumë peripecish, sepse aktiviteti im politik vazhdoi deri në çlirimin e Kosovës, vendosa të gjej një punë afatgjatë. Kështu, në vitin 2001 fillova punën në SBB (Ndërmarrjen Federale të Hekurudhave) si punëtor i thjeshtë, por duke u trajnuar me kurse të ndryshme. Fillimisht punoja si lidhës i vagonëve, pastaj udhëheqës grupi i lidhësve të vagonëve, më vonë punëtor për shtypjen e të dhënave për vagonë etj.
“Nuk njoh ndonjë shqiptar tjetër lokomotivist në Zvicër”.
Në vitin 2004 kam mbaruar një shkollim që të mundëson drejtimin e lokomotivës vetëm brenda një stacioni të trenit ndërsa në vitin 2005 edhe shkollimin për vija të ndryshme në regjionin e Bazelit me rrethinë. Me fjalë tjera, për lokomotivistët ka dy kategori: Kategoria A që të jep të drejtën e kufizuar për drejtim të trenave vetëm brenda një stacioni hekurudhor dhe Kategoria B që të mundëson të vozitësh edhe në relacione të gjata. Shkollimi për këtë profesion zgjatë gjithsej 11 muaj”, sqaron ai në vazhdim.
Kureshtjes sonë për të ditur nëse ka edhe ndonjë shqiptar tjetër që ka punuar ose punon si lokomotivist, Afrimi i përgjigjet negativisht. “Në kohën kur unë e kam mbaruar këtë profesion, mund të them se së paku në pjesën e Zvicrës ku flitet gjuha gjermane, nuk ka pasur tjetër shqiptar. Për më tepër unë kam qenë personi i dytë jo zviceran që në përgjithësi ka ushtruar këtë profesion”, argumenton ai. Dhe shton: “Sot, në nivel të Zvicrës gjermane dhe të gjithë Zvicrës mund të kenë ndryshuar gjërat, pasi që ishim duke folur për vitet 2004-2005. Por, së paku për regjionin e Bazelit, unë nuk jam në dijeni se është edhe ndonjë shqiptar tjetër që ushtron profesionin e lokomotivistit, të kategorisë B”.
Por çka e shtyri Afrimin që të zgjidhte pikërisht këtë profesion, kaq të rrallë ndër shqiptarët? “Makineria është një profesion që më ka fascinuar gjithmonë dhe me siguri që kjo ka pasur shumë rëndësi në zgjedhjen e profesionit tim”, përgjigjet ai. “Por në fakt unë kam dashur të studioja gjuhën dhe letërsinë shqipe mirëpo isha privuar nga e drejta e studimit, edhe pse kam mbetur një lexues i pasionuar edhe sot”.
Profesion “i rezervuar” vetëm për zviceranët
Në profesionin e lokomotivistit përdoren shume terma të cilët në jetën e përditshme nuk përdoren pothuajse fare, prandaj dhe ka vështirësi për një të ri që është rritur në një vend dhe një gjuhë tjetër, siç ka qenë edhe rasti i bashkëbiseduesit tonë. “Kjo ka qenë ndoshta vështirësia me e madhe për mua. Në kohën kur e kam filluar shkollimin në këtë profesion, kam qenë ende me status të azilkërkuesit dhe në fakt kisha të mbaruar vetëm pak kurse të gjuhës gjermane kështu që niveli im në këtë gjuhë ka qenë ende modest. Mirëpo dëshira dhe vullneti, të shoqëruara me shumë punë, bënë që t`i tejkaloja të gjitha vështirësitë” plotëson Afrimi.
Ai thotë se profesioni i lokomotivistit, është më i komplikuar se që mund ta shohin njerëzit që e shikojnë nga jashtë. Këtë e mendon jo vetëm për vete, si njeri që ka gjuhë tjetër amtare por për secilin.
Pas dy vitesh pune në SBB si punëtor i thjeshtë, kisha vendosur te largohesha nga kjo ndërmarrje pasi që kisha një punë që nuk më motivonte për asgjë. Kur i tregova përgjegjësit për regjionin se çfarë kam ndërmend, më pyeti se çka do të doja të punoja. Unë i thashë: lokomotivist! Ndërsa ai ma priti: na jep 6 muaj kohë e shohim. Brenda 6 muajsh ai më ofroi mundësinë për t`i mbaruar dy teste për lokomotivist. Njëri test ishte për mendimin logjik e tjetri për reaksionet e kontrollit të emocioneve (sa shpejt mund të qetësohesh pasi je bërë nervoz) dhe në fund një bisedë me një psikolog, të cilat i mbarova me sukses.
Më prognozonin dështimin
Pastaj jam detyruar të pres dy vite e gjysmë për të vazhduar me shkollim pasi që, e dini, ka shumë barriera, për shkak të asaj se shkollimin e kisha të kryer në Kosovë e jo në Zvicër etj.”, sqaron bashkëbiseduesi ynë. Përcaktimi për këtë profesion ka kërkuar shumë guxim nga ana e tij nga fakti se në atë kohë ky ka qenë si të thuash një profesion i rezervuar për vendës ndërkohë që Afrimi kishte mbaruar vetëm disa kurse të gjermanishtes.
“Në fillim ka pasur shumë shokë të punës, natyrisht, zviceranë, që kanë qenë të bindur se nuk mund ta përballoj një shkollim të tillë. Kjo më ka dhënë edhe më shumë kurajë të mësoj dhe pas 11 muajsh kam mbaruar çdo provim me sukses të lakmueshëm. Kështu edhe sot gëzoj një respekt në vendin e punës për arsye sepse deri më sot nuk kam as edhe një vërejte në punën time sepse në këtë profesion regjistrohet çdo gjë dhe përgjegjësia është shumë e madhe”, përfundon Afrim Bajrami.
Për çdo vit nga një trajnim dhe nga një avancim në profesion
Afrimi e tregon edhe këtë: “Gjatë kohës sa kam ndjekur shkollimin ka pasur edhe shumë raste kur jam ndjerë me arsye krenar. Kështu, në një ndejë, mësimdhënësi, njëri prej atyre më me renome në SBB Cargo, Andreas Hofer thërret një koleg të vijë te tavolina jonë dhe duke më prezantuar mua, i thotë atij: “Ky njeri ka ardhur si i strehuar këtu, ka krijuar familje dhe gjatë pesë viteve të punës, për çdo vit ka mbaruar nga një shkollim që e ka ngritur në një pozicion më të lartë. Ai tani mëson për lokomotivist dhe deri tani çdo provim e ka kaluar me herën e parë. E gjithë kjo në një profesion në të cilin rreth 20 deri 30 % të nxënësve nuk e përfundojnë shkollimin fare”.