Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka pritur sot një delegacion të Korporatës Minerare ‘Trevali’ nga Kanadaja.
Ky delegacion ka qenë në drejtimin e presidentit dhe kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Mark D. Cruise, e cila është e specializuar në sektorin e minierave, e në veçanti atë të zinkut, njofton Ministria e Zhvillimit Ekonomik, përcjell Klan Kosova.
Ministri Lluka ka njoftuar Cruise me resurset minerare që ka Kosova dhe mundësitë për investime në këtë sektor, duke theksuar angazhimin e Qeverisë për të krijuar një mjedis sa më të favorshëm për investimet e jashtme.
Nga ana e tij, Cruise ka prezantuar aktivitete momentale të kompanisë që drejton në Kanada dhe Afrikë, ndërsa ka shprehur interesimin për sektorin e minierave të Kosovës.
“Cruise ka bërë të ditur se nga prezantimet të cilat i ka parë në Konventën e PDAC në Toronto të Kanadasë ku ishte prezent edhe Ministri Lluka, kanë ngjallur interesimin e tij për këtë sektor në Kosovë”.
“Ai theksoi se Korporata Minerare ‘Trevali’, është prodhuesi i 8-të më i madhi në botë i zinkut, dhe e specializuar në minierat e vjetra, të cilat i kanë revitalizuar dhe i kanë bërë ekonomikisht të leverdishme”, thuhet në kumtesë.
“Interesimi i Crusie tregon qe vizita e Ministrit Lluka në Toronto dhe kërkesa e tij për të sjell sa më shume investime nga Kanadaja në Kosove, kishte zgjuar interesim edhe për delegacionin kanadez të kësaj korporate të madhe”.