Koordinatori Degës se LB-së në Podujevë, Nexhat Llumnica, i ka bërë thirrje publike kryetarit të Lëvizjes për Bashkim, Valon Muratit, që të tërhiqet nga Ministria të cilën ai e drejton.

Sipas LLumnicës nuk ka më asnjë arsye që të qëndrojnë në Qeveri, pasi Gkykata Kushtetuese ka konstatuar se disa nga pikat e marrëveshjes për Asociacionin janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Duke u bazuar se ne si LB jemi kundër dy marrëveshjeve, atë për asociacionin dhe demarkacionin, njoftim të cilin e ka shprehur në media edhe kryetari (Valon Murati v.j.) si qëndrim të Kryesisë së LB-së dhe tani që shihet qartë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, se është shkelur Kushtetuta e Kosovës në disa pika në lidhje me Asociacionin e komunave serbe, atëherë ne Dega e LB-së në Podujevë nuk pajtohemi që kryetari i LB-së të qëndrojë edhe më tutje në Qeverinë e cila qartazi shihet se po e shkel sovranitetin e vet si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Nexhat Llumnica nëpërmjet kësaj komunikate që ia ka dërguar “Kohës Ditore”.

Koordinatori i Degës së LB-së në Podujevë ka thënë se nëse vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tutje në Qeverinë e Kosovës, do të bëhen bashkëfajtorë edhe ata si subjekt.

“Ne mendojmë se nëse vazhdohet me këtë Qeveri, e cila ka shumë të meta dhe çdo ditë e më shumë po e varfëron qytetarin e vet, si dhe po e dërgon vendin në një rrugë të pakthyeshme dhe të rrezikshme, merr guximin të bëjë marrëveshje në dëm të vendit, atëherë do të jemi bashkëfajtor për të gjitha ato që ndodhin gjatë kësaj periudhe, pasi që jemi pjesë e kësaj Qeverie”, ka theksuar Llumnica.

“As fjala e as vota kundër nuk mund ta ndryshojë gjendjen në të cilën do ta dërgojë qytetarin e Kosovës kjo Qeveri. Ne e arsyetojmë këtë vendim me konstatimin se kjo është e vetmja zgjidhje e drejtë dhe morale dhe e kemi obligim ndaj votuesve tanë”.