Gurgullimës së rrjedhës së rrëmbyeshme të Lepencit ia ka marrë anën zhurma e makinerisë së rëndë.
Drunjtë përgjatë brigjeve janë shkulur me rrënjë.
Në vend të tyre janë vendosur shtylla betoni e vinça. Lëndinat bleroshe janë kthyer në zona të përbaltura kantieresh me turlifarë pajisjesh të verdha, shkruan sot “Koha Ditore”.
Punëtorët që nuk bartin syze pune, mbyllin sytë kur fryn era e lehtë që përqafon shpatet e kodrave, vende-vende të thepisura përgjatë rrjedhës së lumit. Me vete merr edhe pluhurin. E kur ndonjëri prej punëtorëve përton të shkojë deri te kolegu matanë shtratit, mbledh dy duart rreth gojës dhe ngre zërin që ta përçojë sigurt porosinë.
Shoferët e kamionëve shkelin fort pedalin e gazit teksa ngjiten rrugëve të pashtruara ndanë lumit për të dalë në magjistralen Kaçanik-Han i Elezit.
Përgjatë saj, shoferët e makinave ulin shpejtësinë, e ndonjë fëmijë ul xhamin dhe nxjerr kokën që të shohë këmbët e betonta. Në disa vende, shtyllat janë rreth dyzet metra të larta. Poshtë, që punët të kryhen më shpejt, “Bechtel-Enka” ka ndryshuar edhe shtratin e lumit.