Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur qëndrimin e tij që taksa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, nuk do të hiqet.

Deklaratën e tillë Haradinaj e ka bërë të hënën në Gllogjan të Deçanit, duke shtuar se nuk është mirë të provojë askush nga partnerët e koalicionit qeverisës që ta heqë taksën, pa vendim unanim e të gjithë partnerëve brenda këtij koalicioni.

“Tarifa nuk hiqet deri në njohje. Kuptojeni këtë. Në këtë drejtim unë e pres përkrahjen e të gjithë juve, e kërkoj përkrahjen edhe të partnerëve politikë edhe pse mund të kemi mendime të ndryshme. Kur e kemi marrë vendimin për taksën, kemi qenë unanim. Pra, secili ka thënë ‘po’. Nëse vendimi që të vendoset taksa ka qenë më demokratik i mundshëm, me votën e secilit partner të koalicionit qeverisës, atëherë nuk është demokraci që të hiqet pa votën e njërit, në këtë rast pa votën edhe të Aleancës (për Ardhmërinë e Kosovës) dhe timen”, tha Haradinaj.

Deklarata e kryeministrit Haradinaj vjen një ditë pas një deklarate lidhur me taksën nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, lider i subjektit më të madh politik brenda koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se përmbi emocionet e taksës ndaj shtetit të Serbisë, duhet të flitet për urgjencën e racionalitetit shtetëror.

“Në vendimmarrjen shtetërore, asgjë nuk duhet të ketë personale. Pra edhe ky vendim, sikurse çdo vendim tjetër për Kosovën, duhet të jetë shtetëror dhe institucional. Duhet t’i vëmë në peshojë interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë, duke marrë parasysh edhe reflektimet për faktorët determinues të botës që na rrethon, Rusisë me aleatët e vet në njërën anë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në anën tjetër. Me SHBA-në dhe BE-në në krah, Kosova është më mirë dhe më e sigurt”, ka thënë Veseli.

Veseli ka shtuar se Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta me partnerët amerikanë dhe evropianë.

Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ndaj Qeverisë së Kosovës për të pezulluar taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, e ka lëkundur qëndrueshmërinë e koalicionit aktual qeverisës në vend. Si rezultat i këtij presioni, sipas tyre, karshi këmbënguljes së kryeministrit Ramush Haradinaj për të mos hequr taksën, tashmë janë shpërfaqur opsionet e tjera eventuale brenda partnerëve të koalicionit për tejkalimin e kësaj situate, e që siç thonë ata, mund të jenë, rikompozimi i Qeverisë ose një qeveri teknike.

Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në rast se nuk ka një pajtueshmëri brenda koalicionit qeverisës se si të veprohet për taksën, nuk ekziston mundësia kushtetuese dhe ligjore që të ndryshohet Qeveria, përmes shkarkimit të kryeministrit dhe vendosjes së një kryeministri të ri. Kjo për faktin se, siç thotë ai, rënia e një kryeministri do të nënkuptonte edhe rënien e Qeverisë. Një gjë e tillë, sipas tij, do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Kjo mundësia për ta ndërruar Qeverinë është e pamundur në këtë aspekt. I vetmi aspekt që mund të ndodhë është në rast se ka një pajtueshmëri brenda të gjitha partive politike aktuale që janë në Kuvend, për ta krijuar një Qeveri teknike për një kohë të caktuar, për tejkalimin e kësaj situate, qoftë të taksës, por njëkohësisht edhe të dialogut me Serbinë. Atëherë, mund të ndodhë që bashkërisht, i gjithë spektri politik, të pajtohen për një Qeveri teknike. Këtë e lejon Kushtetuta, pra, që të ketë një Qeveri teknike për një kohë të caktuar dhe më pas të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Pra, janë këto dy mundësi që mund të ndodhin”, theksoi Demhasaj.

Demhasaj shton se në një Qeveri teknike, pa paragjykuar se kush mund të jetë kryeministër, do të mund të propozohej pezullimi i taksës dhe kjo edhe do të ndodhte.

Analisti politik, Agon Maliqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se presioni ndaj Qeverisë së Kosovës, për heqjen e taksës, sidomos nga SHBA-ja është i përmasave të mëdha, për shkak se ajo shihet si pengesë për një proces, i cili në këtë moment është interes strategjik i SHBA-së.

“Presioni është aq i madh, jo vetëm nga SHBA-ja, por edhe nga partneri tjetër i Haradinajt, PDK-ja, e cila tani ka filluar të mbajë qëndrim tjetër, sa që po krijohet një klimë ku Haradinaj duhet të zgjedhë ndërmjet heqjes së taksës dhe mbetjes së tij në pushtet. Kështu që, besoj që ai është para një udhëkryqi dhe duhet ta marrë një vendim”, theksoi Maliqi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e shohin taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si pengesë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Autoritetet e larta të Serbisë kanë theksuar se pa heqjen e taksës ndaj produkteve të këtij vendi nga ana e Qeverisë së Kosovës, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve nuk mund të vazhdojë.