Gjendja e rëndë e lumenjve në Podujevë po vazhdon të jetë shqetësuese, derisa mirëmbajtja e tyre nuk po shkon siç duhet, ani pse investohen mijëra euro, shkruan Llapi.info.
Fatin e tillë po e ka edhe lumi Llap. Mbeturina të shumta shihen se e kanë mbuluar hapësirën përskaj shtratit të këtij lumi në fshatin Lupç i Poshtëm.
Shpeshherë ky lumë vazhdon të jetë i vërshuar nga mbeturinat e shumta, e që ndotësi më i madh është vetë njeriu. Gjendje të tillë ka edhe pjesa e shtrirë përgjatë fshatit Lupç i Poshtëm. Shishe plastike, xhami dhe çdo lloj mbeturine tashmë kanë krijuar një deponi në shtratin e lumit.
Sipas banorëve të cilët edhe kanë dërguar pamje në Llapi.info, në këtë gjendje besohet se është për shumë muaj, teksa deri më tani nuk janë ndërmarrë masa në pastrimin e lumit. Ata po kërkojnë që i njëjti të pastrohet nga kompani, por nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, do merret vetiniciativë nga banorët.
Mbeturinat e shumta të cilat po hidhen në këtë lumë përveç që po ndotin ujin dhe ambientin përreth, janë duke krijuar edhe aromë të pa këndshme. Për këtë disa banorë po ndihen edhe të rrezikuar nga ndotja e tepërt.
Por, s’është vetëm ky vend ku bëhet kjo deponi bërlloku, pasi që lumi Llap prej kohësh është shndërruar në një “kosh plehrash” nga faktori njeri.
Duhet përkujtuar se qindra mijëra euro ndahen për rregullimin dhe mirëmbajtjen e shtratit të lumit Llap nga Komuna e Podujevës.
Kujtojmë, Llapi.info ka raportuar për këtë gjendje edhe kohë më parë, por deri më tani s’është ndërmerr diçka./Llapi.info