Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e konsideron si gjuhë të rëndë cilësimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si pro-serb.
Ai tha se ka refuzuar gjithnjë të bëhet pjesë e këtij diskursi dhe çështjen e pro-Serbisë t’ia veshë secilit kryeministër.
“Unë kam refuzuar gjithmonë që të bëhem pjesë e diskursit që këtë çështjen e pro-Serbisë t’ia veshim kryeministrit të Kosovës dhe secilit kryeministër të deritanishëm. Edhe sot kur flasim për kryeministrat që thonë se janë pro-serb, është e njëjta gjuhë dhe e njëjta logjikë, pra i refuzojë të dyja”.
“Unë nuk e konsideroj kryeministrin aktual të Kosovës si pro-serb, është gjuhë e rëndë kur thuhet dhe nuk e besoj si të tillë”, është shprehur Abdixhiku në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se Kurti ka dhënë kontribute të mjaftueshme edhe në burgjet e Serbisë por edhe në organizimin e jetës studentore, por se sipas tij, politikat e Kurtit janë të gabuara për Kosovën.
“Është i zgjedhur i qytetarëve. E respektoj për atë që është por jam i bindur se politikat e tij janë të mbrapshta për Kosovën dhe janë të dëmshme. Naiviteti i tij politik, refuzimi i koordinimit të ngushtë me aleatët tanë dhe refuzimi i kuptimit pragmatik të situatave për interes të vendit e bëjnë të dëmshëm në politikat e tij”, është shprehur Abdixhiku, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ai tha se politikat e Kurtit janë naive dhe se po e çojnë Kosovën drejtë një situate të re e të rrezikshme, dhe sipas tij, për këtë arsye duhet ngritur zëri.