Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për medie ka reaguar ndaj abuzimit, siç e ka quajtur kjo parti, me nxënësit dhe shkollat publike nga Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Podujevë, transmeton Llapi.info

Sipas LVV- së “Të gjendur në panik të thellë, nga rritja e pandalshme e Lëvizjes, në atë që dikur konsiderohej bastion i tyre, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe dega e saj në Besianë, po përdorin çdo mjet të mundshëm, për të krijuar përshtypjen se Llapi është ende pronë e tyre.”

“Qysh në ditën e parë të fushatës, LDK-ja e Besianës ka vazhduar abuzimin me nxënësit dhe shkollat publike. Për shkak të hapjes së fushatës së LDK-së në Besianë në palestrën e sporteve “Hakif Zejnullahu”, nxënësit e shkollës fillore “Enver Maloku”, e humbën mësimin dje dhe sot. Përpos që u obliguan të marrin pjesë në një tubim partiak, për më keq klasët e shkollës mbetën bosh, pasi që nxënësit u detyruan që karriget e tyre t’i dërgojnë në palestër, për t’i mundësuar LDK-së mbajtjen e tubimit dhe mbushjen e sallës” thuhet tutje në këtë komunikatë.

Kjo parti “kërkon që të ndalet abuzimi më nxënësit dhe institucionet publike. Gjithashtu kërkojmë nga organet kompetente, që të hetojnë këto raste dhe të marrin masa konkrete ndaj shkeljeve dhe abuzimeve të degës së LDK-së në Besianë.”

Kujtojmë se dje Koalicioni LDK- AKR- Alternativa dje ka filluar zyrtarisht fushatën e tyre në palestrën sportive “Hakif Zejnullahu” në Podujevë./Llapi.info