“Pushteti autoritar i Agim Veliut, në vazhdimësinë e kapjes dhe instrumentalizimit të çdo segmenti të jetës publike, në dobi të partisë dhe klanit të tij, dhe i frikësuar nga rritja e madhe e Lëvizjes në Komunën e Besianës, po bllokon mbajtjen e takimeve në shkollat dhe hapësirat e tjera publike për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ndërkohë që ato vazhdojnë të shfrytëzohen në mitingjet partiake të partisë së tij.”
Kështu ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për medie ndaj Komunës së Podujevës e cila sipas tyre, “pavarësisht kërkesave që ne në vazhdimësi, për çdo tubim i kemi dorëzuar në organet kompetente të Komunës, neve po na pamundësohet t’i shfrytëzojmë këto hapësira.”
“ Në takimin me qytetarët e Pollatës, dyert e shkollës që një javë më parë ishin hapur për LDK-në, sonte u mbyllën për Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Ne kërkojmë nga Komuna dhe punëtorët përgjegjës të shkollave, që të mos veprojnë me standarde të dyfishta, që subjektet e ndryshme t’i trajtojnë me standarde të barabarta” thuhet ndër të tjerash në këtë komunikatë.
Sipas kësaj partie në atë që është e përbashkët, asnjë subjekt politik, pavarësisht faktit që qeverisë me atë hapësirë, nuk mund të ketë një të drejtë për vete e t’ua mohoj ata të tjerëve.
Në takim me banorët e fshatit Pollatë ishte edhe Donika Kadaj- Bujupi dhe zyrtarë tjerë të LVV-së nga Podujeva./Llapi.info.