Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili nëpërmjet saj gjithashtu ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij për ta mbështetur më tej Kosovën.

Në një njoftim nga Presidenca, thuhet se presidenti francez në letrën e urimit ka theksuar se mirëpret angazhimin e presidentes Osmani për forcimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Franca qëndron përkrah shtetit tuaj për ta ndihmuar atë në përballimin e sfidave të saj, duke filluar me luftën kundër pandemisë. Franca së shpejti do t’i dorëzojë Kosovës 15 mijë teste antigjenike për t’iu përgjigjur nevojave urgjente”, thuhet në telegramin e Macronit.

Më tej, presidenti francez ka theksuar se marrëdhëniet dypalëshe do të vazhdojnë të forcohen tutje.

Ai ka përmendur edhe dialogun e Kosovës me Serbinë, duke inkurajuar vazhdimin e tij drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.