Në një intervistë për Llapi.Info, politikologu, Albinot Maloku, tha se vizioni që drejton Komunën e Podujevës është neveritës dhe aspak i përmirësueshëm. Ai më tej shtoi se problemi kryesor i Kosovës është ekonomia, e cila me fajin e vendimmarrësve, sidomos të Qeverisë, ende nuk po arrin të ofrojë diçka konkrete përveç arsyeve dhe ofendimeve për ata që u larguan nga vendi. Në lidhje me listat e nxjerra nga Komisioni qeveritar për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, analisti Maloku thotë se e drejta për ankesë është e garantuar, mirëpo problemi nuk mund të jetë vetëm tek komisioni vlerësues por edhe tek ish-komandantët e luftës dhe pjesëtarët që e njohin mirë njëri-tjetrin, kush ka qenë e çfarë ka bërë për të qenë pjesë e këtyre kategorive pjesëmarrëse në çlirimin e Kosovës. Portalit Llapi.Info, Maloku i uron suksese me dëshirën që ky portal ta ruaj pavarësinë informuese duke qenë dritare për gjithsecilin dhe pa-dallime.
Llapi.Info: z.Maloku, fillim viti 2015 për vendin tonë nuk është se fillojë i mbarë dhe kjo duke u nisur nga vala e qytetarëve të cilët u larguan jo në numër të pakët për në vendet e BE-së. U dhanë vlerësime të ndryshme për arsyet e të ikurve nga Kosova, por këto ditë po flitet për kthimin e tyre, që në numra të vogël ka filluar të ndodhë. Cili është mendimi juaj se çfarë do të bëhet me emigrantët pas kthimit të tyre, sidomos me ata që kanë shitur shtëpitë dhe gjërat tjera?
Maloku: Vala e largimeve të qytetarëve për në shtetet e Bashkimit Evropian që e preku Kosovën, vendin më të izoluar të të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor, në fillim-muajin e këtij viti, me siguri do të mbahet mend mjaftë gjatë. E, më së shumti do të mbahen mend, drejtuesit e shtetit me kërkesa për mos largim, e lloj-lloj arsyesh për largimin e tyre e më së paku për gjetjen e modaliteteve për zhvillimin e ekonomisë, drejtësisë dhe shëndetësisë së vendit tonë që drejtpërdrejt kanë qenë arsye të largimit të qytetarëve tanë. Asnjëherë nuk u bë vlerësimi i drejtë për arsyet e vërteta të të gjitha kategorive të të larguarve nga Kosova, përveç disa ofendimeve nga kreu dhe varësit e tij në Qeveri për qytetarët tanë. Kryeministri tha se prindi duhet të marrë përgjegjësin për vdekjen e vogëlushes nga Kosova e cila ndodhi ditëve të kaluara, e paraziti tjetër si ministër i Zhvillimit Ekonomik u rekomandoj qytetarëve që “mos të lindin fëmijë” nëse nuk kanë ekonomi të mirë. Të larguarit nga Kosova e të cilët potencialisht mund ti kthejnë shtetet e BE-se, Qeverisë, si asaj qendrore si atyre Komunale do tu shkaktojnë probleme jo të vogla. Gjithsesi, pasojat do të duhej që ti mbajnë ata që ua sollën punën qytetarëve tanë për të ik nga vendi, e ato janë qeveritarët e njëpasnjëshëm të shtetit të Kosovës që e ndrydhën dhe e shtrydhën ekonomik, arsimin, shëndetësinë e çdo fushë tjetër në shtetin tonë. Të ikurit kosovar tanimë konsiderohen emigrant dhe kthimi i tyre me patjetër se duhet të shkojë përmes ri-integrimit të tyre në shoqëri, proces të cilin e kanë kryer dhe kryejnë të gjitha vendet që kanë kaluar fazat e procesit të liberalizimit të vizave. Ri-integrimi në këtë rast është ndihma për qytetarët të cilët duhet të kthehen në vendin e origjinës e të integrohen në shoqëri. Përfundimisht, duhet thënë se problemi kryesor i Kosovës është ekonomia, e cila me fajin e vendimmarrësve, sidomos të Qeverisë, ende nuk po arrin të ofrojë diçka konkrete përveç arsyeve dhe ofendimeve për ata që u larguan nga vendi.
Llapi.Info: Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së, apo të internuarit të UÇK-së, para disa kohe ka publikuar listën e dëshmorëve, invalidëve e pjesëtarëve të kësaj ushtrie nga Zona Operative e Llapit. Pas publikimit të listave në opinion filluan pakënaqësitë me ato lista, cili është mendimi juaj për listat? A do të rregullohen parregullsitë që janë bërë në ato lista? Pse sipas jush ato janë publikuar së pari në Zonën e Llapit sesa në të tjerat?
Maloku: Procesi i verifikimit të atyre që ishin pjesë e luftës për çlirimin e Kosovës nga ana e një Komisioni qeveritar të vendit është dashur ndoshta të ndodhë edhe me herët, por prapë nuk është vonë që ka ndodhur muajve të fundit dhe tani. Nga ajo që ka qenë në opinion, Komisioni qeveritar i verifikimit dhe i njohjes së statusit të kategorive të ndryshme të luftës, ka bërë kampanja duke i ftuar të gjithë kush ndjen vetën se i përket kategorive në fjalë të aplikojë. Ky vendim ka qenë i drejtë, mirëpo me daljen në opinion të listave filluan pakënaqësitë, ku edhe kjo është e drejtë. Sipas rregullave ligjore e drejta për ankesë është e garantuar, mirëpo, problemi nuk mund të jetë vetëm tek komisioni vlerësues, por edhe tek ish-komandantët e luftës dhe pjesëtarët që e njohin mirë njëri-tjetrin, kush ka qenë e çfarë ka bërë për të qenë pjesë e këtyre kategorive pjesëmarrëse në çlirimin e Kosovës, ku këta do të duhej të ishin ndërgjegjja e të pandërgjegjshmëve. Mendojë që mos zgjidhja e pakënaqësive nuk i kontribuon askujt e në asnjë formë dhe se kjo duhet të jetë arsye për tu rregulluar parregullsitë e shfaqura me listat. Një duhet thënë, listat në përgjithësi, pra në krejt Kosovën, janë të fryra pa nevojë dhe shumë të dëmshme për të ardhmen e shtetit tonë, sidomos kur të krijohen mundësit që Kosova ta vendos në bankën e të akuzuarve Serbinë për gjenocid dhe krime ndaj popullit shqiptar dhe Kosovës. Kjo për arsye se Serbia do të thotë “ne nuk kemi luftuar civilët, por ushtarët që kanë qenë në ketë numër”, duke e prezantuar listën e përpiluar nga vet ne. Shto këtu edhe faktin se ne, historisë nuk mund t’ia shesim të paqenën. Se pse është bërë publike ndër të parat lista nga Zona e Llapit, pa bërë ndonjë konstatim koti e konspirativ dua besojë që ka qenë thjesht e listuar ndër të parat në punën e Komisionit.
Llapi.Info: Siç e dimë, Komuna është njësia kryesore në Kosovë e kontaktit të qytetarit me dorën e shtetit, ku mendohet të jetë dorë e lehtësimit, orientimit dhe ndihmesës. Cili është vlerësimi juaj për punën e organeve të Komunës së Podujevës në përgjithësi e në veçanti të kreut politik të saj? A ka pozitë dhe opozitë të mirëfilltë në Komunën e Podujevës?
Maloku: Është konstatim se në modelin e ndarjes së pushteteve çfarë e ka vendi ynë, pra atë shtetëror e komunal, për të pas një shtet të fortë duhet të kemi një komunë të fortë e funksionale për qytetarin e saj. Komuna e Podujevës e cila drejtohet për më shumë se një dekadë nga një vizion neveritës nuk ka edhe aq, me çka të krenohet. Këtij vizioni në rrugën e vet pa rrugë nuk i duhet prej kohësh mbështetja e botës së kthjellët për paudhësitë e tij. Imuniteti, qetësia, distanca e ndrojtja e qytetarëve të Podujevës nga mediokriteti, meskiniteti e paudhësia akute e jetës politike, si në organet lokale qeverisëse, por edhe tek ato jashtë saj, janë në një nivel më të panevojshëm për një demokraci fuqizuese e të shëndosh. Ka munguar e po vazhdon të mungojë shembulli që politika e politikat shtytëse të stimulojnë shthurjen nga ky vizion i pa vizion. Konformë kësaj, duhet të them se vlerësimi im për punën dhe angazhimin konkret është më shumë se minimal për organet e qeverisë lokale në Komunën tonë. Gjithsesi, fajin e ka edhe ajo opozita e cila angazhohet vetëm disa ditë para zgjedhjeve lokale. Nga të gjitha Komunat e Kosovës, qeveria lokale në Podujeva po vazhdon ta ketë rehatin e botës për punën e saj të pa punë. Këtë luks po ja jep opozita brenda Kuvendit dhe Komunës, por edhe akterët tjerë në Podujevë, si media por edhe shoqëria civile. Subjektet politike opozitare, gjithashtu nuk di me çka krenohen për punën e tyre si opozitë. Nga të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal që janë pjesë faktike e opozitës, është për tu kurajuar një angazhim i të vetmit anëtar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lutfi Rexhepit në legjislaturën lokale të Podujevës. Kurse të tjerët që faktikisht janë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja ‘Vetëvendosje’, nuk është se kanë arritur të vinë në shprehje zërat e tyre, deri tek opinioni për ti identifikuar në lidhje me punën e tyre. Nga anëtarët tjerë të Kuvendit Komunal që vinë nga subjekti i pozitës, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk është se pritet ndonjë angazhim shtesë jashtë asaj që sjell kreu i saj. Jehona e angazhimit të shoqërisë civile, nëse të tillë ka në Komunën e Podujevës, deri më tani nuk është ndjerë. Mediet lokale nuk janë përkrahur kurrë si duhet, përveç se me ndikimin e drejtpërdrejt të politikës ose janë heshtur në qetësi. Përfundimisht, nuk mund të them se ka opozitë në Komunën e Podujevës, e cila do të duhej të ishte kontrolluesi kryesor i punës së qeverisë komunale, por njëkohësisht mund të them se edhe pozita është e paudhë e me vizion neveritës.
Llapi.Info: Dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme. A e ndiqni portalin Llapi.Info dhe nëse po çfarë mendimi keni për te? A kanë pasur nevojë qytetarët e Podujevës për një portal të tillë? Cilat do të ishin rekomandimet tuaja që do të duhej bërë ky portal që të ketë suksese?
Maloku: Po, më ka rastisë ta vizitoi portalin tuaj, kurse tani e ndjek më shumë dhe ju urojë për punën tuaj. Mediet gjithmonë kanë rëndësi për demokracinë të cilën e synon vendi ynë, ku sipas kësaj mund të them se edhe qytetarët e Podujevës kanë nevojë për informim, sidomos të punëve e situatave lokale të qytetit tonë. Rekomandimi kryesor është ruani pavarësinë në informim, bëjeni atë të drejtë, të pa anshëm, të lirë, të qasshëm për gjithsecilin qytetar të Podujevës, mos krijoni barriera për asnjërin, qoftë edhe për kritikët. Kritikët janë shtytësit e përparimit. Për fund ju urojë të mbara e suksese.