Vizitat e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga nëpër Komunat e Kosovës me qëllim sensibilizimin e opinionit kundër migrimit ilegal publicisti llapjan, Albinot Maloku në një postim në profilin e tij në Facebook i konsideron ritual koti.
“Vala e largimeve të qytetarëve të Kosovës për në shtetet e Bashkimit Evropian është gjetur si arsye nga ana e Jahjagës, si presidente e vendit, të vizitojë gati çdo Komunë të Kosovës, e cila është prek nga ky fenomen. Për çudi zonja Jahjaga, gjatë këtij rituali të kot vizitash, nga qytetarët e Podujevës, (mediet thonë se) është pritur me duartrokitje, për dallim nga qytetarët e Komunave tjera ku është pritur me fishkëllima. Nuk e kuptoj nëse është kjo shaka apo jo, por është shumë e pa kuptim. Nëse jo me fishkëllima, – dhe këtë e them vetëm sa për kurtuazi -, po me duartrokitje kjo hiq nuk ka kuptim. Nga kjo valë e largimeve, thuhet se qytetarët e Podujevës nuk ia lëshojnë rrugën gati-gati asnjë Komunë në Kosovë, e me u prit me duartrokitje kjo nuk ka sens. Ndoshta duartrokitjet i kanë bërë nga se qytetarët e Podujevës kanë pas rastin që përveç kreut të shtetit ta presin edhe kreun e komunës. Kjo deri diku ka logjik. Sido që të jetë, ritualin qoftë edhe i mërzitshëm duhet me e kalu.” – shkruan Maloku.