Të gjitha femrat e moshës 40-70 vjeçare në komunën e Podujevës do të kenë mundësinë që falas të i kryejnë testet për diagnostifikim të hershëm të kancerit të gjirit. Kjo pasi mamografi mobil ka arritur në QKMF në Podujevë.

Këto shërbime femrat llapjane do të kenë mundësi t’i kryejnë për 30 ditë rresht, sa do të qëndrojë edhe mamografi mobil në Podujevë duke filluar nga e hëna, 20 korrik 2015 deri më 20 gusht 2015.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF – së në Podujevë, Afrim Shabani, ka ftuar të gjitha gratë e interesuara të lajmërohen dhe t’i nënshtrohen testit, duke e vlerësuar si të rëndësishëm këtë shërbim.

“I ftojmë të gjitha gratë e interesuara të lajmërohen për t’u regjistruar. Pastaj në mënyrë të organizuar testit do t’u nënshtrohen nga 15 gra në ditë”, ka thënë Shabani.

Pjesë e ekipit mjekësor në këtë aktivitet është edhe Dr. Ilaz Bunjaku – radiolog, i cili do të përkujdeset për interpretimin e rezultateve për të gjitha gratë të cilat do t’i nënshtrohen testit.

Kjo mundësi për femrat llapjane erdhi pas bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë./llapi.info