Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, ka thënë se LDK-ja e mbështet qëllimin e Qeverisë Kurti për të ngritur padi për gjenocid ndaj Serbisë.
Manaj në një konferencë për media ka thënë se me vlerësimin e tyre do të thotë që krimet që janë kryer nga pushteti i Serbisë ndaj popullatës civile shqiptare përbëjnë elemente të shfarosjes.
“LDK e mbështet fuqishëm ngritjen e kësaj padie. Me vlerësimin tonë do të thotë krimet që janë kryer nga pushteti i Serbisë ndaj popullatës civile shqiptare përbëjnë elemente të shfarosjes, që përbëjnë elemente të gjenocidit”.
Manaj po ashtu tha se të gjithë duhet të punojnë së bashku që të sigurohen fakte e dëshmi të mjaftueshme për t’u prezantuar para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Ne besojmë se në këtë proces të gjitha institucionet e vendit dhe jo vetëm institucionet por edhe shoqëria civile dhe ekspertët më të mirë vendor dhe ndërkombëtar duhet të punojnë së bashku, që në momentin që fillon ky proces i ngritjes së padisë të sigurohemi që të kemi fakte e dëshmi të mjaftueshme të prezantuar para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që në vendin tonë është kryer gjenocid nga pushtetit i Serbisë”.