Në seancën e mbajtur në Kuvendin Komunal, shefi i grupit të Këshilltarëve të VV-së në Podujevë, Fitim Haziri, ka propozuar që në rend dite të hyjë edhe vendimi që ia ndalon KEDS-it vendosjen e njehsorëve të rrymës nëpër shtylla elektrike në tërë territorin e Komunës së Podujevës, raporton Llapi.info
Ndalimin e njehsorëve sipas Hazirit, ka ardhur pasi që KEDS-i ka shkelur parimet e barazisë.
Të gjithë këshilltarët opozitarë ishin që t’i ndalohej kjo KEDS-it, teksa është kundërshtuar nga partia në pushtet, LDK.
LEXO EDHE: LDK në Podujevë kundër vendimit që të largohen njehsorët e rrymës të vendosura në shtylla
Ky propozim që të hyjë në rend dite u miratua nga të gjitha grupet parlamentare, por sipas VV-së, manipulime ka pasur kur është hedhur në votim për t’ia ndaluar këtë KEDS-it.
Krejt kjo, pasi që personeli nga Zyra Ligjore duke numëruar votat, është thënë se janë 17 vota ‘për’ e 17 ‘kundër’.
Zyrtari i Lartë i kësaj zyreje në Kuvend ka numëruar kundër votën edhe të një këshilltari të LDK-së, e që në fakt ai kishte abstenuar.
Në bazë të videos të publikuar nga VV, shihet se këshilltari i këtij subjekti, Qendrim Softolli nuk ka votuar fare, që do të thotë se ai ka abstenuar. E vota e tij e marrë si kundër ka bërë që ky propozim të mos kaloj edhe me votën e dyfishtë të kryesuesit të Kuvendit kur ka barazim votash.
E, tani numërimi i votave po cilësohet manipuluese nga Lëvizja Vetëvendosje. Në njoftimin e lëshuar nga subjekti në fjalë thuhet se ky propozim ka kaluar me shumicë votash.
“Duke u bazuar në këto prova vërtetohet se edhe personeli i zyrës Ligjore i Komunës së Besianës është i implikuar por edhe i politizuar në këtë rast. Nëse ky Propozim Vendim nuk vlerësohet i kaluar ne do të vazhdojmë me procedurat ligjore duke u bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale”, thuhet ndër tjerash në reagimin e VV-së./Llapi.info
Më poshtë video: