Ministria e Administratës Publike i ka dhuruar komunës së Podujevës një donacion në ngritjen e performancës së rrjetit të shtetit dhe të sistemit të telefonisë digjitale.

Në kuadër të projektit “Ngritja e performancës së rrjetit dhe sistemit të telefonisë digjitale” që po realizohet nga Agjencia e Shoqërisë për Informacion (ASHI) e Ministrisë së Administratës Publike (MAP), komuna e Podujevës ka përfituar një donacion me pajisje të rrjetit të sistemit të telefonisë.

Me qëllim të dorëzimit të këtij donacioni, komunën e Podujevës e ka vizituar Merita Seferi-Haxhiu, udhëheqëse e Drejtoratit për Rrjeta dhe Telekomunikacion në ASHI, e cila është pritur nga Fatmir Gashi, drejtor i Administratës në Komunën e Podujevës.

Në takim ishte i pranishëm edhe Rrahim Berisha, udhëheqës i shërbimit të Teknologjisë Informative në Podujevë.

Aty u tha se këto pajisje do të ndihmojnë komunikimin dhe shërbimet më efikase në administratën komunale.

Përfaqësuesja në Agjencinë e Shoqërisë për Informacion tha se vlera totale e donacionit të këtij projekti për komunën e Podujevës është 16,947 euro, duke premtuar se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë ta ndihmojnë sistemin rrjetit dhe telekomunikimit.

MAP në vazhdimësi e ka përkrahur avancimin e teknologjisë informative në komunën e Podujevës./Llapi.info