Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se sulmi ndaj kanalit kryesor të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok para një jave kishte për qëllim të shkaktonte pasoja të mëdha dhe të dëmtonte funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Gjatë një interviste në Dukagjin, ai theksoi se synimi i sulmit ishte destabilizimi i vendit dhe minimi i shtetësisë së Kosovës.

“Kishte synim të shkaktonte pasoja më të vërtet të mëdha sidomos në aspektin e mohimit të shërbimeve esenciale për qytetarët. Por edhe në njëfarë forme dhe të pengonte dhe gjunjëzonte funksionimin e institucioneve të vendit. Dhe më këtë ta paraqesë vendin tonë si një vend jo stabil. Përveç të tjerash kishte synim një destabizlim dhe minimin e vetë shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Maqedonci.

Ministri vlerësoi punën e institucioneve që arritën të menaxhojnë situatën, duke minimizuar pasojat, pavarësisht ndërprerjeve në furnizimin me energji elektrike dhe ujë.

Ai shtoi se pasojat do të ishin të paparashikueshme nëse sulmi do të kishte arritur qëllimin e tij.

“Fatmirësisht si rezultat i angazhimi, punës e sinkroznimit të të gjitha institucioneve nuk arriti synimin përfundimtar, i këtij sulmi. Nëse do të arrihej do të ishin të paparashikueshme për momentin. Vetëm se hasëm disa nga pasojat por shumë pengesat më energji elektrike, ujë e me shërbime të tjera esenciale, por falënderuar institucioneve u arri të menaxhohet situata”, ka shtuar Maqedonci.

Maqedonci bëri të ditur se dyshimet e para për sulmin drejtohen ndaj grupeve kriminale të lidhura me kryeterroristin, Millan Radoiçiq dhe strukturat e tij në veri të Kosovës.

“Dyshimet e para shkojë pikërisht te ata që gjatë gjithë kohës kanë organizuar dhe zhvilluar akte të tillë, që lidhet me grupin e Radojçiq dhe mbetjet e tyre në veri. Duhet të presim përfundimin e hetimeve, mirëpo të gjitha pistat, hetimet dërgojnë të këto grupet terroriste”.