Transferimi i Cristiano Ronaldos te Juventusi mund të tërheq edhe brazilianin Marcelo në Allianz Stadium.

Ylli portugez u transferua te Juventusi gjatë ditës së martë për një shifër që mendohet se është 112 milionë euro në total, teksa do të fitojë nga 30 milionë euro nga katër sezone me Juventusin.

Transferimi i tij në Serie A te Zonja e Vjetër bëri bujë të madhe, por kjo mund të mos jetë e tëra nga befasitë.

Sipas mediumit Corriere della Sera, Marcelo mund të largohet nga Real Madridi për t’u bashkuar me Ronaldon në Juventus.

Gazeta italiane raporton se agjenti i lojtarëve, Jorge Mendes, po shtyn për të nënshkruar një marrëveshje për transferimin e mbrojtësit brazilian.

Megjithatë, kjo gazetë raporton gjithashtu se Juventusi ka mohuar interesin e tyre për Marcelon.

Nëse do të arrihet një marrëveshje, 30-vjeçari do të kushtonte nga 40-60 milionë euro, një shumë që nuk do të ishte problem për klubin nga Torino.

Kjo pasi një shifër të ngjashme Zonja e Vjetër do të merrte nga shitja e Alex Sandro, nëse ai shitet. /Telegrafi/