Marko Jakshiq i Lëvizjes Popullore Serbe për Kosovë e Metohi “Otaxhbina” (Atdheu) dhe anëtarë i Aleancës për KeM i tha të përditshmes së Beogradit, “Danas”, se zhvillimet t djeshme në veri të Kosovës, sidomos ato në Zubin Potok, “janë pasojë e kapitullimit nacional dhe të politikës shtetërore të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në këtë hapësirë”, transmeton Koha.net.

“Duke nënshkruar marrëveshjet e Brukselit, Vuçiq shthuri mbrojtjen e veriut të Kosovës, duke ia dorëzuar policinë dhe Mbrojtjen Territoriale Prishtinës. Në këtë mënyrë ai ua kufizoi serbëve të drejtën për vetëmbrojtje, ndërsa ai vetë nuk është në gjendje t’i mbrojë, ndonëse për të 77-ten herë ka ngritur gatishmërinë luftarake të Ushtrisë së Serbisë dhe ka thirrur mbledhjen e Këshillit për Siguri, i cili punon sipas parimit ‘i bie kashtës”, ka thënë Jakshiq.

Ai konsidero n se gjatë ditëve të ardhshme do të shihet nëse aksioni i ROSU-së ( e ka fjalën për Njësitin Special të Policisë – v.j.) u zhvillua me marrëveshje midis Beogradit e Prishtinës zyrtare, ose janë “kokalla të Prishtinës” në Vuçiqin për shkak të kërcënimit me ngritjen e gatishmërisë luftarake. Jakshiq nuk e përjashton as mundësinë që ngjarjet e djeshme në veri të Kosovës të mund të jenë hyrje dhe pretekst për nënshkrimin eventual nga Vuçiqi të marrëveshjes juridike detyruese me Prishtinën, transmeton Koha.net shkrimin e “Danasit”.

“Sidoqoftë, ky ishte një demonstrim i forcës së Prishtinës në veri të Kosovës, kundër të cilit Vuçiqi edhe po deshi të thotë ndonjë gjë, nuk mundet meqë një pjesë e kriminelëve që i ka sjellë marrin pjesë në punë të pista”, ka thënë Marko Jakshiq.

Sot, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, aksionin e Policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në veri e ka quajtur vepër të “pseudopatriotëve” serbë dhe në këtë kontekst e ka përmendur Marko Jakshiqin.