Kryetari i Podujevës së bashku me 18 të punësuar të tjerë në zyrën e tij, vetëm në vitin 2017 pritet t’i harxhoi 162.815 euro nga buxheti i komunës, njofton Llapi.info.

Këto të holla zyra e kryetarit do t’i shpenzoj për paga, mëditje, mallra dhe shërbime.

Të dhënat buxhetore janë në kornizën afatmesme buxhetore nga Komuna e Podujevës për vitin 2017-2018.

Ajo që bie në sy është se kjo shumë është ngritur për afër 30.00 euro nga viti i kaluar, e cila kishte qenë 138.871 euro.

Opozita në Podujevë e pati cilësuar këtë shumë të madhe.

Në ekstraktin nga procesverbali i datës 26.09.2016 në mbledhjen e tridhjetedy të Kuvendit të Komunës, këshilltari komunal nga radhët e PDK-së Flakron Gashi pati akuzuar rëndë të parin e komunës për këtë shumë.

Përvec pagës bazë të kryetarit, sipas tij është paraparë edhe puna jashtë orarit për të cilën Gashi kishte pyetur nëse bëhej fjalë për punën jashtë orarit që bënë kryetari Veliu për të ardhur nga Prishtina në Podujevë për në punë.

“Ka paraparë madje edhe shumën në vlerë 1500.oo € për pagesë si punë jashtë orarit, nuk e di a është fjala për pagesë për kohën që bënë Kryetari deri sa vjen nga Prishtina në punë dhe pasi ta lërë punën të shkon në Prishtinë sepse siç jemi në dijeni Kryetari Veliu nuk e ka zgjedhur vend për të jetuar Komunën që e udhëheqë. Më pas për shpenzime të udhëtimit dhe për shpenzime të udhëtimit jashtë vendit parashikohen 10,000.oo €, për dreka zyrtare 5,000.oo € shumë kjo e dyfishuar në krahasim me dy vitet e kaluara, mandej për mallra dhe shërbime dhe blerje tjera 25,900.oo €, ndërsa një çështje tjetër që për mua aq sa është qesharake është edhe e pakuptimtë shuma 2000.oo € për furnizim me ushqim dhe pije ku përveç që ka paraparë shumë të mjeteve për dreka zyrtare, është fjala për furnizim me ushqim dhe pije (spitale, burgje dhe çerdhe), nuk e di për çfarë bëhet fjalë por mendoj se Kryetari ose drejtori i Drejtorisë së Buxhetit dhe Financave duhet të japin shpjegime për këto shifra.” kishte thënë Gashi

Ditë më parë, Veliu pati marrë kritika të ashpëra nga spektri politik për parkimin dhe lënjen ndezur të veturës së tij përballë komunës për mbi 10 minuta.