Nëse Serbia dhe Kosova arrijnë të zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre dhjetëvjeçare, pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, mund të kenë nevojë të rregullojnë shpejt politikat e tyre të jashtme.
Të pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën mund të gjenden të zëna ngushtë dhe duhet të rregullojnë politikat e tyre me shpejtësi nëse Serbia dhe Kosova bien dakord për një zgjidhje përfundimtare dhe marrin mbështetje për këtë nga Perëndimi.

Sllovakia, një nga pesë vendet e BE-së që nuk e ka njohur Kosovën, thotë se tashmë po përgatitet për një rishikim.

“Përfundimi i një marrëveshjeje të tillë midis Beogradit dhe Prishtinës do të krijonte një situatë të re politike, e cila do të mendohet si duhet”, tha për BIRN, Ministria e Jashtme e Sllovakisë.

Pjesërisht për shkak se frikësohet se pakica e saj hungareze mund të kërkojë të njëjtën gjë si Kosova, Sllovakia është në grupin e pesë vendeve të BE-së që kurrë nuk e kanë njohur Kosovën, së bashku me Rumaninë, Spanjën, Qipron dhe Greqinë.

Ish-provinca shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Serbia kurrë nuk e ka njohur atë.

Megjithatë, presioni ndërkombëtar po rritet në të dy vendet për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhjetëvjeçare, nëse ata duhet të sigurojnë një të ardhme si pjesë e BE-së.

“Sllovakia mbështetë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe kjo përfshinë zbatimin e shpejtë të marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, si dhe përgatitjen e marrëveshjeve të reja”, tha ministria sllovake.

Aty vihej në dukje se procesi i dialogut dhe përmbajtja e marrëveshjeve duhet të jetë në përputhje me parimet në të cilat bazohet BE-ja, duke përfshirë respektimin e të drejtave të pakicave.

“Një marrëveshje eventuale juridikisht e detyrueshme e arritur nga Beogradi dhe Prishtina duhet gjithashtu të jetë e favorshme për perspektivën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe duhet të forcojë paqen dhe stabilitetin e rajonit”, thuhej aty.

Sllovakia nuk është i vetmi vend i Evropës Lindore potencialisht i shqetësuar nga ritmi i ngjarjeve në Kosovë dhe Serbi.

Njohja e Kosovës si shtet mund të nënkuptojë probleme të reja për Rumaninë, pakica e madhe hungareze e cila kërkon autonominë në rajonin e Transilvanisë.

Tri partitë kryesore hungareze të Rumanisë, Bashkimi Demokratik i Hungarezëve në Rumani, Partia Popullore në Transilvani dhe Partia Qytetare Hungareze, më 8 janar nisën një kërkesë të përbashkët për autonomi territoriale, lokale dhe kulturore.

Ky veprim i mërziti politikanët në Bukuresht që i shohin kërkesat si të papranueshme, veçanërisht pasi Hungaria zbuloi në janar se deklarata ishte nisur dhe ndërmjetësuar nga Katalin Szili, i dërguari i kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Megjithëse autoritetet rumune nuk i janë përgjigjur pyetjeve të BIRN për këtë çështje, raportohet gjerësisht se në takimet bilaterale midis zyrtarëve serbë dhe rumunë, fakti që Rumania nuk e kishte njohur Kosovën në mënyrë rutinore u nënvizua si diçka për të cilën Serbia mund të llogarisë.

Qipro, e ndarë në dy pjesë nga pushtimi turk në vitin 1974, është edhe më kundërshtues në parim për njohjen e një entiteti të shkëputur si Kosova.

“Qipro, për arsye parimi, nuk mund ta njohë dhe nuk do të njohë një deklaratë të njëanshme të pavarësisë”, tha ministrja e Jashtme qipriote, Erato Kozakou-Marcoullis, për ‘The Independent’ në vitin 2008.

“Nuk është për shkak se kemi frikë se Republika e Turqisë e Qipros Veriore, TRNC, do të shpallte pavarësinë, sepse ata e kanë bërë atë në vitin 1983 dhe morën një reagim shumë të fortë nga Këshilli i Sigurimit [OKB]”, shtoi ajo, shkruhet në raportin e njëjtë.

Demetris Samuel, kreu i Komunikimit në Ministrinë e Jashtme të Qipros, tha për BIRN se asgjë nuk kishte ndryshuar fare në qëndrimin e Qipros që nga ajo kohë.

“Pozicioni i Republikës së Qipros për këtë çështje është artikuluar qartë në shumë raste … Ne nuk shohim ndonjë meritë në komentimin në bazë të skenarëve hipotetik”, tha ai.

Nga të gjitha pesë vendet jo-njohëse të BE-së, Spanja, me rajonin e saj të Katalonisë, ka qenë ndoshta më e zëshmja në kundërshtimin e saj ndaj njohjes së Kosovës.

Në përpjekjen e dështuar të Katalonjës për pavarësi vitin e kaluar, paraardhësi i qendrës së djathtë të Pedro Sanchez, Mariano Rajoy, mori një linjë edhe më të ashpër se pjesa tjetër për Kosovën, deri në pikën e bojkotimit të një takimi të majit të BE-së në Sofje me gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, vetëm sepse përfshinte Kosovën.

Së fundmi, e fundit nga pesë vendet që mund të krijojnë vështirësi për Kosovën në qëllimin e saj për t’u njohur plotësisht është Greqia.

Shefi grek i diplomacisë, Nikos Kotzias përsëriti më 11 prill në Beograd se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën. Si këmbim, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Beogradi e respektoi qëndrimin e Greqisë mbi Maqedoninë, emri i të cilës kundërshtohej, duke shtuar se “Serbia ishte e gabuar kur e njohu Maqedoninë me këtë emër [emri i saj zyrtar] në vend të [Ish – Republika Jugosllave e Maqedonisë, IRJM”.

Megjithatë, pasi situata ndryshoi dramatikisht midis Greqisë dhe Maqedonisë, të cilat tani kanë arritur një marrëveshje mbi mosmarrëveshjen e tyre historike, raportet kanë spekuluar se Greqia mund të ndryshojë qëndrimin e saj edhe për Kosovën.

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, një institut ‘think tank’, tha median ruse ‘Sputnik’ në shkurt se Kosova ishte në agjendën e bisedimeve Greqi-Maqedoni.

Janjiq shtoi se Greqia ishte e gatshme ta njohë pavarësinë e Kosovës nëse Washingtoni do ta kërkojë, me qëllim që të sigurojë prosperitetin e saj ekonomik.