Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në konferencë për medie ka thënë se situata me pandeminë është tepër e rëndë, raporton Llapi.info.

Në këtë konferencë, kryeministri i vendi, Avdullah Hoti ka shpalosur masat e reja anti-COVID. Ai ka prezantuar hartën me shkallën e infeksioneve për 100 mijë banorë, duke thënë se Qeveria po shikon që t’i ulë këto shifra.

“Në zonë të kuqe janë shtatë komuna, Prishtina, Podujeva, Gjakova, Gjilani, Ferizaj, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Shtimja. I kemi marrë dy veprime, e lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 19:00 me specifikat e manualit për mbrojtje nga koronavirusi. Nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik vendoset kufizim i plotë i qytetarëve, orë policore nga ora 19 në këto komuna. Ndalohen hyrje-daljet në këto komuna nga ora 19:00”, ka deklaruar Hoti.

“Situata është tepër e rëndë, ne kemi përgatitur të dhënat konkrete që t’i shohin të gjithë qytetarët. Duke pas parasysh kapacitetet ne duhet të kujdesemi për masa me specifike. Testimet janë trefishuar në javët e fundit, numri i rasteve pozitive është rreth 1 në 3 që testohen, e ndonjëherë edhe deri në 50 për qind dalin pozitive. Edhe rastet fatale janë në rritje. Projeksionet e IKSHPK-së janë mjaft pesimisite”, ka thënë Hoti./Llapi.info