Një 50-vjeçar nga Prishtina ka rënë në prangat e Policisë gjatë ditës së djeshme, pasi dyshohet se e ka mashtruar një person, lidhur me rregullimin e një veture, rast ky që ka ndodhur para shumë muajsh, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për të dyshuarin V.V., i cili dyshohet për mashtrim, pasi kishte shkelur marrëveshjen që kishte bërë me një qytetar për t’ia rregulluar veturën.
Për t’ia rregulluar automjetin, i dyshuari i kishte kërkuar viktimës një shumë të parave prej 900 euro. Por përveç që nuk e kreu punën siç u morën vesh, qytetari mbeti edhe pa para, pasi i dyshuari nuk ia ktheu më të hollat që ia mori.
Si në shumë raste të tjera edhe këtë herë, rasti u raportua shumë muaj pasi ka ndodhur. Qytetari që u mashtrua vendosi që gjatë ditës së djeshme ta denoncojë të dyshuarin në Polici.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në veprim dhe ka prangosur të dyshuarin, i cili pas intervistimit, është dërguar në mbajtje për 48 orë, me vendim të prokurorit.