Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit , Fatmir Matoshi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sot kanë takuar përfaqësuesit e Kompanive Regjionale të Ujësjellësit “ARRU” dhe “SHUKOS”, ku diskutuan për çështjen e vazhdimit të lejeve ujore dhe obligimet financiare të KRU-ve ndaj qeverisë.
MMPH dhe Kompanitë Regjionale të Ujësjellësit kanë arritur marrëveshje për shlyerjen e borxhit të mbledhur prej vitit 2007- 2017 nga këto kompani në vlerë prej 1.5 milionë eurosh.
d ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi gjatë këtij takimi tha se çështja e furnizimit me ujë të pijshëm mbetet prioritet i MMPH-së ndërsa theksoi domosdoshmërinë e pagesës së borxhit nga KRU.
“Çështja e furnizimit me ujë për qytetarët e Republikës së Kosovës mbetet një prioritet i MMPH-së. Po ashtu çështje e rëndësishme për ministrinë tonë mbetet edhe shlyerja e borxhit të akumuluar mbi 1. 5 milion euro që Kompanitë Regjionale të Ujërave kanë ndaj MMPH-së nga viti 2007- 2017”, tha Matoshi.
Ministrat kanë arritur marrëveshje me përfaqësuesit e KRU-së për shlyerjen e borxhit për pesë vite duke filluar t’i kryejnë këto obligime nga muaji shtator 2018 prej 20 për qind, për të vazhduar edhe katër vite të tjera, me nga 20 për qind të pagesës.
Po ashtu, gjatë këtij takimi u bë e ditur se KRU mund të pajisen me Leje Ujore nga MMPH, vetëm atëherë kur përfundojnë pagesën prej 20 për qind të borxhit për vitin 2017 dhe në rast të mos zbatimit të kësaj marrëveshjeje, mund t’u merret Leja Ujore dhe për pasojë edhe licenca e operimit nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit.
Përfaqësuesit e Kompanive Regjionale të Ujësjellësit gjatë këtij takimi kanë shprehur pajtueshmërinë që borxhi që kanë ndaj MMPH-së të përfundoj në periudhë pesë vjeçare.