Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është mbajtur Akademi Përkujtimore për dy artistët llapjanë, Ismet Bogujevci dhe Maliq Musa, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Në nderim të jetës dhe veprës së artistëve Ismet Bogujevci, dhe Maliq Musa në Teatrin e Qytetit në Podujevë, Komuna e Podujevës, Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport organizoi akademi përkujtimore, ku ishte i pranishëm kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci, anëtarë të ekzekutivit komunal, familjarë të artistëve Bogujevci dhe Musa, dhe qytetarë llapjanë.

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi tha se sot po kujtojmë dhe nderojmë veprat e pasura artistike e muzikore të dy artistëve që dhanë aq shumë për Llapin e Kosovën.

“Në këtë Akademi Përkujtimore që po shënojmë sot për nder të dy ikonave llapjane të artit, që vdiqën javën e kaluar, Ismet Bogujevci dhe Maliq Musa, për dy doajenët e muzikës Ismeti si këngëtar i muzikës popullore e Musa si kitarist i shquar.

Këtu jemi mbledhur për të nderuar artin dhe veprën e tyre që dhanë aq shumë për Llapin e për Kosovën”.“Ismeti e Musa ishin miq të vjetër e shkuan për të njëjtën ditë edhe në amshim, të dy ishin personalitete të ngjajshme, të dy rrezatonin mirësi e dashuri, me vdekjen e tyre bota e artit humbi shumë”.

“Ismet Bogujevci ishte solisti ndër dekada i Ansamblit Kombëtar “Shota” dhe i shumë shoqërive që kanë lënë nam në Kosovë dhe trojet shqiptare. Ndërsa Maliq Musa kryetar i shoqatës kulturo-artistike “Josip Rela” e anëtar edhe në shoqata të tjera”Kryetari Bulliqi tha se “Ismet Bogujevci dhe Maliq Musa përveç kontributit në zhvillimin e artit, me zërin dhe meloditë e tyre, e mbajtën gjallë kulturën shqiptare në periudha shumë të vështira për kombin tonë.

Podujeva do t’i kujtojë përherë me krenarinë më të madhe”.“Sot këto dy personalitete të mëdha i nderojmë dhe i falënderojmë për të gjithë kontributin e tyre jetësor në fushën e artit dhe vlerave artistike që kanë përquar tek qytetarët. Shpirtat e tyre të mirë le të pushojnë në paqe” përfundoi kryetari Bulliqi.

Veprimtarinë e tyre artistike dhe kulturore e kujtoi edhe shefi i Kabinetit të Kryetarit, Bajram Ajeti, artisti Mehmet Breznica i cili interpretoi poezi, bashkëpunëtorët e dy artistëve Elfie Podvorica dhe Baki Zeneli./Llapi.info