Numër jo edhe aq e vogël i të rinjve të Komunës së Podujevës sot kanë marrë pjesë në diskutimin e Propozimit të Rregullores për procedurat e themelimit dhe funksionimit të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVRL) në këtë komunë.
Drejtuesit e këtij debati që ishin Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Mrika Thaçi dhe Zyrtari për informim në Komunën e Podujevës, Bujar Gimolli para të pranishmëve paraqitën Dispozitat e Përgjithshme të kësaj Rregulloreje që ka të bëj me procedurat e themelimit dhe funksionimit të KVRL –së.
Lidhur me këtë Rregullore u dhanë edhe disa sugjerime të cilat sipas udhëheqësve do të merren parasysh dhe sugjerime të tilla do të priten deri më 30 nëntor.
Besnik Muçaj nga K.L.G.I tha se në këtë rregullore përveç këtyre përkufizimeve do të ishte mirë që të paraqiten edhe disa parime të KRVL- së që kanë të bëjnë me barazinë gjinore dhe religjionin.
“Ish kon mirë me i qitë edhe disa parime të KVRL-së. Te ligji për lirinë e asociimit thuhet koxha saktë për aspektet fetare religjioze masnej parimi i barazisë gjinore. Është mirë me qit se është frymë e re se në variante të ndryshme munden me paraqitë probleme. Dhe me i paraqitë ne rregullore se qito parime nuk munden me u shkel barazia gjinore me pas përfshirje me pas edhe tema religjioze sepse shumë shpesh mundemi me pas probleme me qito tema. Edhe në rrugë mundemi me pas probleme me qito” tha Muçaj.
Lidhur me OJQ- të religjioze, përfaqësuesi i Elitës së Re, Berat Stublla shtroi disa pyetje të cilat kanë të bëjnë me bashkëpunimin e tyre me OJQ që nuk kanë program religjioz si dhe përfshirjen e tyre brenda KVRL- së.
“Pra a kanë të drejt edhe OJQ- të religjioze që të kenë bashkëpunim me organizata të tjera të KVRL-së apo janë të ndame me statut, pasi që ka disa organizata të cilat veprimet e tyre i realizojnë vetëm si humanitare. A ka një rregullore për këto organizata religjioze?” pyeti ai.
Mirëpo për këtë, Gimolli tha se me statut nuk është e lejueshme që atyre OJQ- ve t’u thuhet se nuk mund të merrni pjesë në KVRL.
“Me statut neve nuk na është lejue me ju thonë atyne që nuk mund të merrni pjesë. Por sigurisht planet që ato i kanë nuk kanë mundur që të zënë vend në aktivitet e këshillit. Por tash me një vendim të Ministrisë së Punë të Brendshme këto organizata që kanë veprue janë mbyllë. Por edhe nëse vinë OJQ të tilla, nëse programet e tyre përputhen me rregulloren e këshillit atëherë unë nuk kisha pas diçka kundër që ato të mos marrin pjesë ” tha ai.
Ky diskutim publik për Propozimin e Rregullores për procedurat e themelimit dhe funksionimit të KVRL- së është nxjerr më 31 tetor me vendimin e Kuvendit Komunal të Podujevës./Llapi.info