Në Komunën e Podujevës sot është mbajtur debati publik për Programin Trevjeçar të Banimit 2019 – 2021 në Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info
Në debatin e organizuar nga Komuna e Podujevës – Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Programin Trevjeçar të Banimit 2019 – 2021, e prezantuan para qytetarëve të pranishëm në Sallën e Kuvendit, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi dhe zyrtarja për banim në këtë drejtori, Arbresha Bashota.
Gjatë prezantimit u tha se Programi Trevjeçar të Banimit Social i referohet zgjidhjes së çështjes së banimit social në Komunën e Podujevës.
“Ky program do të mundësojë kushte për banim të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm për familjet të cilat nuk e kanë ende të zgjedhur çështjen e banimit ose jetojnë në kushte minimale të banimit. Komuna e Podujevës në programet e saj zhvillimore ka për qëllim përmirësimin e banimit social për banorët e saj”, tha zyrtarja Bashota.
Më tej ajo tha se qëllimi i hartimit të Programit të Veçantë të Banimit në Komunën e Podujevës është adresimi i çështjeve të banimit brenda territorit të saj, pra të zhvilloj politika adekuate për zgjidhjen e nevojave për banim për grupe të caktuara të cilat nuk kanë mundësi ekonomike për të siguruar banim me çmime të tregut.
Komuna e Podujevës ka si objektiv që të krijoj kushte për banim të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm në harmoni me standardet dhe normat evropiane të banimit, ashtu që të mundësoj zgjidhje të nevojave për banim për grupe të caktuara, të cilat grupe nuk kanë forcë ekonomikë që këtë problem ta zgjidhin sipas parimeve të tregut.
Ndërsa, objektivat strategjike të programit janë në përputhje me kushtet (parimet) e planifikimit hapësinor të qëndrueshëm.
Qytetarët pjesëmarrës në debat shtruan pyetje dhe u interesuan të dinë më shumë detaje lidhur me Programin Trevjeçar të Banimit 2019 – 2021.
Me vendimin e Kuvendit të Komunës, në mbledhjen e mbajtur më 08.05.2019, Programi Trevjeçar i Banimit 2019 – 2021 është vënë në diskutim publik, i cili do të zgjasë deri më 10.06.2019./Llapi.info