Në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë është mbajtur gara në nivel komunal mes shkollave, se si të jepet ndihma e parë një të aksidentuari (lënduari) në formë demonstruese, njofton Llapi.info
Në garën ku komision ishte edhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Podujevë, Zaim Thaçi, pjesëmarrës ishin nxënës nga shkolla ekonomike dhe ajo teknike.
Me këtë rast, sekretari i Kryqit të Kuq, dega në Podujevë, Vail Shala, ka theksuar se kjo garë dhe ky aktivitet ka qëllim për vetëdijesimin se si të veprohet në raste emergjente.
“Garat e ndihmës së parë organizohen në të gjithë Kosovën, kryesisht organizohen nëpër mes shkollave të mesme. Gara janë cilësuar në tri nivele; 1. Garë komunale; 2. Garë regjionale dhe niveli i tretë; Garë republikane. Në Komunën e Podujevës marrin pjesë tri shkolla, ndërsa prej këtyre shkollave ajo e cila e merr vendin e parë, kalon tutje në garat tjera. Ky aktivitet ka të bëjë edhe me vetëdijesimin e nxënësve se si i jepet ndihma e parë një të lënduari apo të një aksidentuari. Kryqi i Kuq në Podujevë, fillimisht i ka trajnuar nxënësit e shkollave të mesme, nga aspekti teorik dhe praktik dhe pas trajnimit tash mbahet gara”, ka thënë Shala, duke shtuar se edhe pse ka qenë e ftuar Shkolla e Mesme e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, kjo e fundit nuk ka marr pjesë.
Në garën e zhvilluar mes shkollës teknike dhe asaj ekonomike, kjo e fundit u shpall fituese nga Komisioni.
Duke uruar shkollën ekonomike, drejtori i Shëndetësisë, Zaim Thaçi, ka apeluar tek nxënësit që të vijojnë me këto aktivitete, që sipas tij, kanë qëllim vetëdijesimi./Llapi.info