Në Katedralen në Prishtinë, është mbajtur meshë për Adem Demaçin. Me lutje që shpirti i tij të prehet në paqe filloi mesha në Katedralen “Nëna Tereza”, raporton TV Arta.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në meshën e së dielës tha se të gjithë besimtarët bashkohen për t’u lutur për një njeri të madh, për një atdhetar që tërë jetën ia kushtoi atdheut e kombit të tij.
Imzot Gjergji tha po ashtu se Demaçi u është bashkuar figurave të ndritura të kombit si Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, e Ibrahim Rugovës. Ndërsa, në emër të familjes Demaçi, vajza e tij, Abetarja, shprehu mirënjohjen për këtë nder që i është bërë figurës së babait të saj.
Atdhetari Adem Demaçi u nda nga jeta të enjten në moshën 82-vjeçare.