Sot, në Podujevë u organizua tryeza në lidhje me “Pjesëmarrjen e qytetarëve të Podujevës në vendim-marrje”, njofton Llapi.info
Ky takim u organizua nga organizata jo-qeveritare “Kosovo Center for Democracy“ dhe u mbajt në kolegjin privat ‘Globus’ në Podujevë.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin asamblistë nga të gjitha subjektet e mëdha politike në Podujevë, shoqëria civile, profesionist nga lëmit përkatës. Fokus diskutimi ishin të gjeturat e hulumtimit për të njëjtën çështje të realizuar në teren nga kjo organizatë.
Të gjeturat e këtij studimi:
- Në komunën e Podujevës ekziston perceptimi qytetarë se mendimi i tyre nuk ka ndikim në zhvillimin e politikave lokale.
- Nuk ka takime ose kontakte të mjaftueshme ndërmjet përfaqësuesve politik të të gjitha subjekteve politike dhe qytetarëve. Si rezultat i kësaj kemi mungesën e njohurive të përfaqësuesve politik për problemet reale të banorëve. Kjo ndikon negativisht në zgjidhjen e tyre.
- Angazhimi i qytetarëve llapjan në funksion të shoqërisë civile është shumë i ulët.
- Organizimi i komunitetit është shumë i zbehtë. Nevojitet informim me i shtuar nga institucionet përkatëse për rëndësinë e organizimit të qytetarëve në zonat ku ata banojnë.
- Mediat dhe rrjetet sociale janë burimi kryesorë i informimit të qytetarëve për projektet zhvillimore lokale. Një pjesë relativisht e madhe e komunitetit (36%), nuk ka çasje në informacionet bazike për këto zhvillime. Interesant është fakti se përfaqësuesit politik dhe përfaqësuesit e komunitetit luajnë rol shumë të vogël këtë proces.
Po ashtu për zgjidhjen e problemeve të identifikuara kjo organizatë jap këto rekomandime:
- Për të pasur një pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve të Podujevës nevojitet që:
- Në shkollat fillore dhe të mesme të ofrohet më shumë informacion për rëndësinë që ka pjesëmarrja qytetare në vendim-marrje. Në këtë mënyrë, rritet shkalla e edukimit qytetarë.
- Të ndërtohen ura komunikimi ndërmjet qytetarëve, përfaqësuesve të komunitetit dhe atyre politik.
- Të rritet angazhimi qytetarë në shoqërinë civile, përmes krijimit të mundësive më të mëdha nga qeverisja lokale.
- Nevojitet një komunikim më i madh ndërmjet qytetarëve dhe përfaqësuesve politik.
- Të krijohet mundësi dhe hapësirë për profesionistët e lamive përkatëse dhe me theks të veçant për sociologët, në mënyrë që të kontribuojnë në identifikimin e problemeve të qytetit që ndikojnë në rregullimin e jetës urbane.