Në Kosovë, rreth 120 pacientë të cilët vuajnë nga kanceri, janë prekur edhe me COVID-19, sëmundje që e shkakton koronavirusi. Megjithëkëtë, asnjë rast nuk ka përfunduar me vdekje.
Adelina (emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë) është njëra nga ta, e cila, krahas kancerit në gji që e ka diagnostikuar në muajin janar të këtij viti, në muajin korrik është infektuar edhe me coronavirus.
Ajo e ka vazhduar trajtimin me kimioterapi, derisa e ka kaluar edhe coronavirusin.
“Unë jam operuar nga kanceri në gji, meqë u diagnostikova me këtë sëmundje. Kam filluar kimioterapinë, e që kam pasur pak vështirësi, normalisht. Por, në muajin korrik, filluan disa simptoma, e që unë mendoja se janë prej kimioterapisë. Por jo, dola COVID pozitiv”, rrëfen Adelina për Radion Evropa e Lirë.
“Pas konsultave me doktorin tim që më trajtonte për sëmundjen malinje, ai më tregoi se çka të përdor dhe ma ka përcjellë gjendjen. Në përgjithësi kam qenë mirë, por shumë e lodhur. Kam pushuar shumë dhe kështu e kam kaluar pa ndonjë telashe, duke e vazhduar edhe terapinë për kancerin”, thotë ajo.
Mikkael Sekeres, mjek specialist për leukeminë akute në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se personat e prekur me kancer nuk janë në rrezik më të madh nga kapja e virusit, por janë në rrezik më të madh për t’u sëmurë rëndë nëse e marrin virusin.
Ai ka veçuar sidomos pacientët që e kanë sistemin imunitar të prekur nga kanceri ose nga trajtimi i kancerit – për shembull, pacientët me leukemi ose pacientët me kancer në mushkëri, frymëmarrja e të cilëve mund të jetë e rënduar.
Në Kosovë, të hospitalizuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare kanë qenë vetëm pesë persona, të cilët kanë pasur sëmundje malinje dhe që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Të tjerët, sëmundjen COVID-19 e kanë kaluar me terapi mbështetëse, krahas terapisë për sëmundjen e kancerit, me të cilën kanë qenë duke u trajtuar.
Infektologu Sali Ahmeti bëri të ditur se pacientët që kanë pasur sëmundje malinje, njëkohësisht janë trajtuar edhe për kancer, edhe për COVID-19.
“Sa u përket rasteve kancerogjene, të hospitalizuara kanë qenë gjithsej pesë raste me forma të rënda kancerogjene, si me prekje të mushkërive, leukemi, por që e kanë kaluar sëmundjen pa pasoja. Sa i përket COVID-19, kanë arritur shërim të plotë pas një ecurie të zakonshme të sëmundjes. Ne kemi përdorur protokoll të njëjtë me të sëmurët e tjerë. Por, këta persona janë me imunitet më të ulët, e që kemi pasur terapi mbështetëse pak më të forcuar, e cila ndikon në rritjen e imunitetit të tyre”, tha Ahmeti.
Kurtishi: Nuk ka raste me fatalitet
Në Institutin Onkologjik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti janë diagnostikuar 810 raste të reja me kancer.
Ilir Kurtishi, drejtori i këtij Instituti, tha se ka rënie të numrit të të prekurve me sëmundje malinje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ai shtoi se në bazë të të dhënave, janë 15 për qind më pak të prekur gjatë këtij viti.
Ndërkohë, nga muaji mars, kur u paraqitën rastet e para me coronavirus në Kosovë, e deri në muajin maj, kanë qenë vetëm dy persona, të cilët vuanin nga kanceri, të prekur me COVID-19. Më pas, siç tha Kurtishi, ka filluar të rritet numri i të infektuarve, e që totali tashmë ka arritur në rreth 120.
“Të gjithë janë mirë me shëndet dhe asnjë nuk ka përfunduar me fatalitet. Të gjithë kanë vazhduar trajtimin e tyre për sëmundjen e kancerit pa ndonjë problem. Ndërkaq, sa u përket sëmundjeve malinje në Kosovë, kanceri i gjirit prin te femrat, derisa kanceri i mushkërive te meshkujt. Incidenca e vdekjeve nga sëmundjet e kancerit është rreth 10 për qind”, tha Kurtishi.
Në Kosovë, numri i përgjithshëm i të prekurve me koronavirus ka arritur në 14,566.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi të shtunën se brenda 24 orëve të kaluara kanë vdekur tre pacientë me coronavirus, ndërsa janë konfirmuar 70 raste të reja pozitive. /rel/