1534 nxënës të klasave të nënta të komunës së Podujevës iu kanë nënshtruar sot testit të arritshmërisë, shkruan Llapi.info.

Ky test i cili është mbajtur në katër qendra të komunës, sipas shefit të Drejtorisë së Arsimit, Xhevat Llugaliu, ka kaluar pa asnjë parregullsi.

“Testi ka filluar në kohën e paraparë dhe ka përfunduar me kohë. Kanë qenë katër qendra në të cilat është mbajtur testi dhe në të katër qendrat ka qenë komisioni i cili  edhe ka vëzhguar procesin. Komisioni është përbërë nga një zyrtar i DKA-së, një zyrtar i ministrisë së Arsimit dhe drejtorët e shkollave ku është mbajtur testi” tha Llugaliu.

Qendra e cila ka pasur më së shumti nxënës ka qenë ajo e “Fan S. Noli” me 498 nxënës, pastaj “Isa Boletini” me 373 nxënës, “Shaban Shala” me 339 nxënës dhe “Dr. Ibrahim Rugova” me 324 nxënës.

Llugaliu tha se mësimi i cili është humbur në këto katër qendra do të kompensohet në ditët në vijim./Llapi.info