‘Grevë’ e kanë nxënësit në Podujevë edhe kur ka mësim. Gjithë kjo, pasi që në periudhën e parë 2018-19, në shkollat e Podujevës janë mbi 200 mijë mungesa, raporton Llapi.info

Në bazë të raportit nga Drejtoria e Arsimit, e që është shpalosur tek këshilltarët komunalë, mbi 200 mijë mungesa kanë bërë nxënësit në të gjitha shkollat e Podujevës brenda një gjysmëvjetori, e që për këtë temë, sot është zhvilluar një debat i gjatë në Kuvendin Komunal.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës, Agim Blakçori, ka thënë mungesat e nxënësve në Podujevë është i nivelit të lartë. Përkundër kësaj, ai thotë se procesi është zhvilluar sipas planit. Thotë se nota mesatare në të gjitha nivelet shkollore në Podujevë është 3.45.

“Mësimi në Podujevë ka përfunduar më 28 dhjetori 2018, puna është zhvilluar në të gjitha shkollat me procesin e paraparë. Në arsimin fillor kemi 37 institucione shkollore e edhe në atë të mesëm të ulët. Nota mesatare në të gjitha nivelet është 3.45. Nota mesatare më e mirë është në atë fillor. Një numër i konsiderueshëm i mungesave është regjistruar gjatë kësaj periudhe, po ta shikojmë në total del një numër i madh u mungesave.  Nivel fillor ka më pak mungesa mesatarisht 5 mungesa për nxënës, në nivelin e dytë diku 13 mungesa dhe në nivelin e tretë të mesëm të lartë 18 mungesa për një nxënës”, ka thënë Blakçori, raporton Llapi.info

Sipas tij, faj për mungesa kanë edhe prindërit. Ai ka shtuar se mungesat e shumta janë bërë nga nxënësit e shkollave të nivelit të lartë.

Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avni Fetahu, duke e përkrahur informatën e drejtorisë, ka thënë se sfidë dhe shqetësim është numri i madh i mungesave nga nxënësit.

Ndërsa, këshilltarja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Stublla ka përmendur problemet që sipas saj, janë primare e që me të cilat ballafaqohet arsimi në Podujevë.

Pas publikimit të raportit, për mungesa ka reaguar edhe Arbër Blaku nga PDK.

“Ne Baze te nje raporti nga Drejtoria e Arsimit ne Komunen e Podujeves per vitin 2018-2019, deri tash jane me shume se 200 mij mungesa ne te gjitha shkollat e Podujeves…katastrof “, ka thënë ai në një postim në facebook.

Në anën tjetër, shefi i GK-të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se cilësia e arsimit në Podujevë është e dobët. Sipas tij, mungesat e shumta të nxënësve janë shqetësuese. Përveç mungesave të shumta nga nxënësit, sipas këshilltarëve shqetësim mbetet siguria nëpër shkollat e Podujevës, e që sipas partive opozitare organet përgjegjëse janë duke punuar pak në këtë drejtim, duke pasur parasysh incidentet e shumta të ndodhura në shkollat e Podujevës.

Ndryshe, gjysmëvjetori i dytë nuk ka filluar ende për shkak të grevës, pasi që SBASHK-u ka vendosur që greva e mësimdhënësve të vazhdojë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre./Llapi.info