327 mijë e 124 euro është shuma e cila është paraparë të investohet në ndërtimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Llap, njofton Llapi.info.
Në kontratën e publikuar nga Komuna e Podujevës është përcaktuar se brenda 100 ditëve bëhet vazhdimi për ndërtimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Llap.
Lidhur me këtë, komuna e Podujevës ditë më parë ka arritur të finalizojë një kontratë të re, ani pse vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 360.000,00 euro, ajo është arritur kurorëzohet për 327.124,32 euro.
Sipas njoftimit, tenderi në fjalë i është besuar operatorit ekonomik N.N.T “Bini Sh.P.K”.
Tutje, bëhet e ditur se kanë qenë gjithsej 29 operatorë ekonomikë ata që kanë dorëzuar dosje për këtë tender.
Mirëpo, duhet përkujtuar se në fund të muajit maj, Komuna e Podujevës ka përfituar nga Ministria e Mjedisit 150 mijë euro për vazhdimin e rregullimit të shtratit të lumit Llap.
E për ta nënshkruar këtë memorandum pati qenë kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i cili pati falënderuar Ministrinë për përkrahjen dhe financimin e projekteve në komunën që ai drejton.
“Projekti i rregullimit të shtratit lumit Llap është i rëndësishëm, sepse Komuna vitet e fundit ka investuar me mjete vetanike për rregullimin e lumit. Është mirë që kësaj here këtij investimi i bashkohet edhe MMPH-ja dhe do arrijmë të përurojmë realizimin e projekteve siç është paraparë”, ishte shprehur Veliu në takimin e ftuar nga ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi./Llapi.info