Në më shumë se 40 shkolla në Berlin janë raportuar të infektuar me koronavirus, vetëm dy javë pasi shkollat rifilluan mësimin.

Gazeta Zeitung shkruan se dhjetëra persona nga stafi i mësimdhënësve dhe qindra studentë janë futur në karantinë pasi kanë rezultuar pozitivë. Kryeqyteti gjerman ka gjithsej 825 shkolla, shkruan BBC.

Derisa numri i të karantinuarve duket alarmues, gazeta shkruan se zyrtarët argumentojnë se sistemi në vend është duke funksionuar mirë. “Në shumë raste, vetëm një student, mësues apo një anëtar stafi është i infektuar deri tash dhe se nuk ka pasur raste të infektimit brenda shkollës”.

Megjithatë, ka shqetësime sa i përket asaj se sa shpejt do të përhapet virusi dhe nëse masat mbrojtëse janë të mjaftueshme. Nxënësit në Berlin janë të detyruar të mbajnë maska në korridore, përgjatë pushimeve dhe në klasë, por u lejohen që t’i heqin gjatë ligjëratave, transmeton KOHA.

Rastet me koronavirus në Gjermani janë në rritje që nga fundi i korrikut, ndërsa zyrtarët kanë fajësuar pushuesit të cilët janë rikthyer në vend nga shtetet e tjera.