Sot në Komunën e Podujevës Drejtori i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi dhe drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Mirsad Kamerolli, kanë mbajtur takim me pronarët e autokombajnave, njofton Llapi.info
Sipas kumtesës së Komunës, në këtë takim u bisedua për përgatitjet për fushatën e korrjes-shirjes
“Në territorin e komunës sonë sivjet kemi gjithsej 5,535 hektarë të mbjella me grurë, elb, thekër dhe tërshërë. Prej tyre 5,170 hektarë janë me grurë”, tha drejtori Januzi. Më tej, drejtori Januzi tha se fushata e korrje – shirjes pritet të fillojë rreth datës 10 korrik, kurse numri i autokombajnave në teren do të jetë 90 sosh. Në bazë të këtij numri dhe dinamikës së korrje-shirjes, llogaritet se fushata e korrjes do të zgjas rreth 20 ditë.” thuhet në njoftimin e Komunës.
Më tej bëhet e ditur se Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka marrë vendim që sivjet të mos bëjë subvencionimin e derivateve për pronarët e autokombajnave. Ndërsa, çmimi i korrje-shirjes do të jetë unik për tërë Kosovën, 100 euro për një hektar./Llapi.info