Dëme të mëdha janë shkaktuar sivjet në kulturat bujqësore nga breshri e vërshimet.

Shifrat e para të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural flasin për më shumë se 7 milionë euro dëme në këtë sektor për periudhën janar-korrik 2018, shkruan sot Koha Ditore.

Por nuk kanë treguar se cila kulturë bujqësore është dëmtuar më së shumti brenda kësaj periudhe. E nga vërshimet e fundit të muajit gusht, në Komunën e Suharekës dëmet arrijnë vlerën në 6.6 milionë euro, përfshirë edhe dëmet në infrastrukturë e ekonomi familjare.

Ministria nuk ka fond emergjent, nga do të kompensoheshin fermerët e dëmtuar. Ndihmat eventuale bëhen me vendime të atypëratyshme të Qeverisë së Kosovës. Një i tillë është marrë më 22 gusht për të dëmtuarit në Suharekë.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.1 milionë euro, të cilat do të përdoren për shërbime publike komunale, infrastrukturën rrugore dhe në subvencione dhe transfere të kësaj komune.